ShqipëriTë fundit

Bllokuan 5 akset kryesore për 60 min, mbyllet protesta e opozitës, Basha: E sotmja sinjal paralajmërimi për Ramën

Është mbyllur pas 60 minuta protesta e opozitës, e cila ndryshe nga protestat e kaluara, këtë të enjte nuk u zhvillua përpara Parlamentit apo kryeministrisë, por u shtri në pesë qarqet kryesore të vendit, në Tiranë tek Shqiponja, në Durrës tek Plepat, në Fier-Sheq dhe në Bradashesh-Elbasan.

Situata ishte e qetë, ndërsa u shënuan vetëm dy incidente të vogla në Elbasan, ku protestuesit dogjën disa goma dhe në Durrës ku u hodhën flankadanë.Ora 18:52

Basha nga Miloti: Edi Rama më arroganti, më hajduti dhe më mashtruesi në 6 vite i vuri shkelmin…

“Më lenoni shpreh mirënjohjen time masive këtu në Milot. Njësoj si shumë shqiptarë sot, edhe vendi ynë ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm ku e ka sjellë njeriu më i korruptuar, më i paaftë dhe më i inkriminuar që njeh historia e pluralizimit, arroganti, hajduti, mashtruesi Edi Rama, i cili me bandën e tij brenda 6 viteve i vuri shkelmin demokracisë dhe institucioneve të drejtësisë, shkatërroi ekonominë, uli oligarkët në krye të pasurive të shqiptarëve dhe vrau shpresën duke detyruar gjysmë milioni shqiptarë të braktisin shtëpitë e tyre.

Shumë prej jush kanë ardhur këtu në mbështetje të kauzës jetike për zgjedhje të lira, sepse e dinë shumë mirë se pa zgjedhje të lira nuk mund të ketë dalje nga varfëria e tejskajshme”, tha Basha.

Ora 18:35
Përshkallëzohet situata në Elbasan, në rrethrrotullimin e Bradasheshit ku edhe po zhvillohet protesta e opozitës. Protestuesit i kanë vënë flakën disa gomave në rrugë.

Ora 18:21

Njerëzit janë mbledhur edhe në aksin Durrës – Kavajë, te vendi i njohur si “Plepat”. Përpos protestuesve, në protestë janë edhe ish-deputetët demokratë Edi Paloka, Oerd Bylykbashi, Orjola Pampuri, dhe Florion Mima.

Ora 18:14

Kryemadhi mbërrin në Durrës, në rrethrrotullimin e Plepave.

“Pjesa më e madhe e protestave ka qenë me qytetarët e Tiranës, tashmë do të shpërndahemi në të gjithë Shqipërinë. Befasia ndaj strategjisë që Edi Rama ka ndërtuar me krimin e organizuar për të uzurpuar shqiptarët, do të jetë elementi kryesor i protestës së shqiptarëve. Këto nuk janë më protestat e opozitës janë protestat e qytetarëve.

Është paralajmërim për Ramën. Akoma nuk ka filluar mosbindja civile. Akoma Edi Rama nuk e ka parë revoltën e shqiptarëve. Ka vetëm 9 javë për të kuptuar ndërkombëtarët. Edi Rama nuk e ka kuptuar ende. Sot protestat në pesë pikat kryesore janë protesta për t’i thënë Edi Ramës se je akoma vonë. Tërhiqu dhe jepu shansin shqiptarëve të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të gjithë shqiptarët që janë në Amerikë t’u telefonojë të afërmve të tyre në Shqipëri që të bëhen pjesë e protestave kundër qeverisë së krimit“, ka thënë Kryemadhi.

Ora 18:03

Përplasje midis protestuesve dhe një drejtuesi mjeti, te ish-rrethrrotullimi i Shqiponjës, i cili kundërshtoi bllokimin e rrugës. Protestuesit kanë qëlluar mjetin./panorama