PijeShëndetësiUshqimi

Blerina Bombaj tregon si të shpëtoni nga kilogramët e shtuar gjatë festave

Viti i Ri për shumë prej nesh përfshin fillimin e një diete të re.
Të kesh një trup perfekt në të shumtën e rasteve është e vështirë. Dietat jo gjithmonë kanë efektin e pritshëm dhe shpesh janë të mundimshme, ndaj edhe dietologia Blerina Bombaj rekomandon të ushqehemi në mënyrë të ekuilibruar.

E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Bombaj tha se dietat detoks janë praktika komerciale që nuk mbështeten shkencërisht. Ajo rekomandoi që pas festave të fundvitit të hamë më pak dhe me bazë bimore.

“Duhet të informojmë të gjithë publikun se dietat detoks janë praktika komerciale. Shkencërisht nuk mbështeten. Zakonisht kanë të bëjnë me konsumin e lëngjeve të frutave dhe perimeve. Por dua të theksoj se shkencërisht nuk njihet një praktikë detoksifikimi e tillë. Gjithnjë e më shumë dalin teori që nuk kanë bazë shkencore dhe kjo ndodh, sepse njerëzit duan një zgjedhje të shpejtë dhe magjike dhe termi detoks është shumë tërheqës për njerëzit që kanë probleme me regjimin e ushqimit. Por duhet të bëhemi realistë dhe të kuptojmë se nuk ka zgjidhje magjike. Detoksifikimi është një procedurë që bëhet në organizmin tonë 24 orë në 24 nga mëlçia jonë. Lakrat, lulelakra dhe brokoli janë perimet që ndihmojnë proceset antioksiduese dhe detoksifikuese. Pas festave të fundvitit duhet të hamë më pak, me bazë bimore dhe shumë më pak nga kafshët, të lëvizim sa më shumë dhe të bëjmë zgjedhje të ekuilibruara dhe të larmishme”, tha Bombaj.