Bislimi: Plani franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë sesa të Kosovës.
Në kuadër të “Konferencës së Sigurisë” që po zhvillohet në Beograd, Bislimi ka dhënë detajet e para nga ky propozim.
“Iniciativa franko-gjermane s’është domosdoshmërisht modeli i ‘dy Gjermanive’, por ‘Gjermani-Gjermani minus’, sepse disa pjesë të rëdnësishme të asaj marrëveshje s’janë të përfshira në këtë iniciativë. Duhet ta themi se që nga fillimi pengesa kryesore në dialog ka qenë divergjenca mes qëndrimeve të të dyja palëve. Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër. Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke. Prandaj nga kjo perspektivë do të thosha se propozimi franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë”, ka thënë ai në një lidhje direkte online, pasi një ditë më parë iu ndalua hyrja në Beograd për “shkaqe sigurie”.
Bislimi po ashtu ka thënë se palët janë pajtuar që dokumentin të mos e publikojnë tash për shkak se “do ta mbyste shpirtin e kontributit drejt arritjes së rezultatit të mirë”.