Bota

Bilanc i rëndë në Itali, 760 viktima në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orët e fundit në Itali janë regjistruar 760 viktima, duke e çuar numrin e të vdekurve në total 13 915.

Rastet e reja janë 2477, gati 500 më pak në krahasim me ditën e mërkurë. Lombardia raporton një tjetër ditë pozitive, me ulje të numrit të viktimave dhe personave të infektuar. “Shifrat janë të qëndrueshme dhe po ndodh ajo që ekspertët tanë kanë parashikuar, domethënë rënia e rasteve”, tha guvernatori i Lombardisë, Atilo Fontana.

Megjithatë, ai paralajmëroi se ekziston rreziku që virusi të rikthehet në tetor e nëntor dhe se duhet të qëndrojnë të përgatitur.

Në Pavia po eksperimentohet një mënyrë e re e trajtimit të pacientëve, plazmaterapia, që ka të bëjë me përdorimin e gjakut të të shëruarve.

Shqetësuese mbeten humbjet mes bluzave të bardha, ndërsa 69 mjekë raportohen të jenë mes viktimave. Kryeministri Giuseppe Conte njoftoi se masat kufizuese do të qëndrojnë në fuqi të paktën deri në 13 prill.