Beteja e Fushë Kosovës dhe trillimet serbe
Depërtimi i ushtrisë osmane në Ballkan si rrjedhojë e fuqizimit gradual të saj i vuri drejtuesit e këtij rajoni përballë një rreziku të përbashkët. Kështu lipsej nevoja që elitat drejtuese e asaj kohe si princërit, mbretërit e fisnikët shqiptarë, serbë, bullgarë e rumunë të linin pas mosmarrëveshjet dhe grindjet mes tyre e të krijonin një koalicion antiosman, gjë të cilën e bënë.
Në radhët e shqiptarëve të asaj kohe që u përfshinë në koalicionin ballkanik ishin : Gjergji II Balsha, Teodor Muzaka, Gjon Kastrioti, i ati i Gjergj Kastriotit, etj. Koalicionin e kryesonte cari serb Llazari. Të bashkuar ushtritë ballkanase zhvilluan me osmanët betejën në fushën e Kosovës më 15 qershor 1389.
Raporti i forcave ishte jo i balancuar, ushtria osmane mendohet të ketë pasur një numër prej rreth 100 000 ushtarësh, ndërkohë që koalicioni ballkanik rreth 40 000 forca. Beteja përfundoi me fitoren e osmanëve. Pavarësisht fitores forcat osmane pësuan humbje të mëdha midis të cilëve mbeti i vrarë edhe sulltan Murati I . Ai u vra nga një luftëtar shqiptar i quajtur Millosh Kopili. Kjo fitore i hapi rrugë osmanëve që të zgjeronin pushtimin e tyre në Ballkan.Kjo ngjarje e ndodhur në shek. XIV do përdoret e do i shërbejë serbëve si ngjarje, veç të tjerash, për të krijuar shtetin e tyre e për tu shkëputur kështu nga Perandoria Osmane. Po mbi këtë ngjarje lindin pikërisht edhe pretendimet e serbëve, gjë të cilën e përdorin ende edhe sot, për Kosovën.Mbi ngjarjen e fushë Kosovës ngrihet edhe miti serb. Studiues serbë shprehen se shqiptarët në betejën e fushës së Kosovës ishin aleatë të osmanëve, e jo të aleancës ballkanike, ndërkohë që e verteta është se princat shqiptarë luftuan përkrah atyre ballkanas.Për të vazhduar me nacionalizmin historiografia serbe e trajton betejën e zhvilluar në fushë – Kosovë si një betejë ku serbët si komb u mundën por ato toka në të cilat ato luftuan ishin serbe, pra Kosova ishte serbe. Kështu me largimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani, Serbia nxitoi të përfshinte në territoret e saj edhe Kosovën.E thënë ndryshe serbët thirrjen për bashkim, veç të tjerash e gjejnë pikërisht në betejën e zhvilluar në 1389. Territoret kosovare sipas tyre kanë qenë serbe, me pushtimin osman ato kaluan nën perandorinë Osmane dhe me shembjen e kësaj të fundit ato i përkasin sërish Serbisë.Ndërkohë dëshmitë arkeologjike flasin për banimin e territoreve të Kosovës nga Dardanët, fis Ilir, dhe kjo është pranuar gjerësisht. Është e vërtetë që popullsia e Kosovës, në gjysmën e dytë të shek. XVI dhe në shek. XVII për shkak të pushtimit nga Perandoria Osmane, një pjesë e konsideruar e popullsisë shqiptare islamizohet.Por identiteti kombëtar shqiptar u ruajt fort sepse nuk përfaqësohej me fenë sikurse fqinjët, (serbët dhe grekët) por thellë me identitetin shqiptar i cili nuk diktohej nga përkatësia fetare.
Ndërsa sa i përket pretendimit serb lidhur me luftimin e shqiptarëve përkrah osmanëve mjafton vrasja që Millosh Kopili kryen ndaj sulltanit osman për të vërtetuar se shqiptarët kanë qenë pjesë e rëndësishme e aleancës ballkanike. Pra shqiptarët luajtën rolin e tyre në këtë betejë të zhvilluar, pavarësisht mohimit që i bëjnë serbët.