Berisha nënshkruan me Western Unitedin
Sulmuesi kosovar Besart Berisha në edicionin e ri do të luajë në A-Leaguen e Australisë.
Berisha, të premten ka firmosur kontratë me Western United, ekip që do të debutojë në elitën e futbollit australian, transmeton Koha Ditore.
Sulmuesi 34-vjeçar thuhet se ka firmosur kontratë njëvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ai te Western Unitedi është transferuar si lojtar i lirë, pasi ka shkëputur kontratën me ekipin nga Japonia, Sanfrecce Hiroshima, pjesë e të cilit ishte për 14 muaj.
“Western United ka fituar garën për shërbimet e Besart Berishës, i cili do t’i prijë sulmit të ekipit në edicionin e ri”, ka shkruar “The Sydney Morning Herald”.
Berisha pritet të debutojë me ekipin e ri, në ndeshjen e xhiros së parë që Western Unitedi e luan në udhëtim kundër Wellington Phoenixit më 13 tetor.
Berisha është njëri prej lojtarëve më të njohur në futbollin australian, pasi ka vendosur shumë rekorde gjatë kohës sa ishte pjesë e ekipeve Brisbane Roar dhe Melbourne Victory.
Ai ka shënuar 116 gola në 186 ndeshje kampionale, kurse ka fituar edhe katër tituj kampioni të Australisë. Në dy raste, Berisha është shpallur golashënuesi më i mirë në kampionat.
Krahas Berishës, në edicionin e ri në A-League, do të paraqitet edhe mesfushori Migjen Basha, i cili më herët ka firmosur me Melbourne Victoryn.