Beogradi i dislokon 116 migrantë sirian në Preshevë
Autoritetet serbe njoftuan se 116 migrantë u transportuan në Qendrën e Pritjes në Preshevë pasi policia zhvilloi një operacion për të gjetur migrantë të parregullt në Beograd.
Lajmin e konfirmoi për Radio Evropa e Lirë e që e përcjell rtvpresheva.com, Vlladimir Cuciq, komisioner i Komisariatit Serb për Refugjatë dhe Migrim.
“Serbia ka treguar se është në gjendje të përballojë pasojat e krizës së migrantëve më mirë sesa shumica e vendeve evropiane”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vullin.
Sipas të dhënave të siguruara nga Radio Evropa e Lirë (RFE) më 9 nëntor në Komisariatin për Refugjatët, 6,041 migrantë ishin akomoduar në një nga 19 qendrat e drejtuara nga Komisariati në Serbi, ndërsa 1,200 të tjerë ishin jashtë këtyre qendrave.
Përfaqësuesja e Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara ( UNHCR), Francesca Bonelli, i tha Radio Televizionit të Serbisë (RTS) se “retorika kundër migrantëve në Serbi po rritet dhe lëvizjet kundër migrantëve janë shqetësuese”, por shtoi se “ato nuk tregojnë fytyrën e vërtetë të popullit serb duke marrë parasysh për faktin se gjatë rrjedhës së krizës së migrantëve deri më tani, Serbia ka pasur përgjigje më njerëzore se shumë vende në rajon”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, migrantët janë kryerës të më pak se një për qind të krimeve në Serbi.
Migrantët janë kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët shkojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor për të kaluar pastaj më lehtë në territorin e Bashkimit Evropian/REL.