BotaLajme

BE vendos taksa ekologjike, shtrenjtohen biletat për aeroplan?

Vendet evropiane po konsiderojnë futjen e taksave të reja të avionëve për shkak të ndotjes që prodhojnë, gjë që do të rriste ndjeshëm çmimet e biletave ajrore.

Për muaj, industria e linjave ajrore ka diskutuar futjen e një takse mjedisore për shkak të kritikave që aviacioni komercial është përgjegjës për një pjesë të madhe të emetimeve totale të dyoksidit të karbonit (CO2), transmeton ksp.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), bëhet fjalë për dy për qind të shumës së përgjithshme të këtyre gazrave, ndërsa OJQ-ja ‘Climate Action Network” vlerëson se është pesë për qind.

Suedia ka vendosur tashmë një taksë mbi kerozinë që aktualisht shtrenjton për 38 euro një biletë ajrore, dhe në këtë vend ka teori gjithnjë e më të zëshme se është “e turpshme për të udhëtuar me aeroplan”.

Franca po analizon mundësinë e heqjes së të gjitha fluturimeve të brendshme për të cilat ekziston zëvendësimi me tren në rrugë më të shkurtra se pesë orë.

Belgjika dhe Holanda nisën çështjen e ndotjes në fillim të vitit dhe pritet të jetë një nga temat në një takim të Këshillit të Ministrave të Transportit (BE) në Luksemburg.

Politikanët favorizojnë një taksë për kerozinë që është përjashtuar nga të gjitha taksat qysh nga mbajtja e Kongresit të Aviacionit Civil Ndërkombëtar në Çikago më 1944, kur ishte më e rëndësishme për të lehtësuar zhvillimin e trafikut ajror.

Sipas një raporti konfidencial nga Komisioni Evropian, i cili kohët e fundit rrodhi në publik, një tarifë prej 330 euro për 1000 litra kerozinë do të ulte emetimet e dyoksidit të karbonit me 11 për qind.

Në projektligj thuhet se një fluturim nga Parisi në Marsejë lëshon 178 kg dyoksid karboni për pasagjer, ndërsa i njëjta udhëtim me tren gjeneron 4.14 kg CO2 për pasagjer.