Lajme

BE-ja ultimatum Serbisë: Sanksione Rusisë ose të presin ndëshkime

Bashkimi Evropian ka shtuar presionin ndaj presidentit të Serbisë që të mos vonojë vënien e sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Nëse kjo s’ndodh shpejt, sipas burimeve diplomatike të gazetës serbe “Danas”, Serbia do të përballet me sanksione të BE-së.

“Nëse BE-ja do të vendosë për sanksione, hapi i parë do të jetë ndalja e rrjedhjes së parasë drejt Serbisë, anulimi i Schengenit të bardhë, ndërprerja e negociatave për pranim në Bashkimin Evropian dhe më pas sanksione. Por kjo merr kohë”, kanë thënë burimet e kësaj gazete.

Sipas tyre, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po shpreson në përkrahjen e Viktor Orbanit, kryeministrit të Hungarisë, që ta bllokojë iniciativën nëpërmjet Këshillit të BE-së apo edhe Komisionerit Evropian për Fqinjësi e Zgjerim, Oliver Varhelyi.

“Pasi që nënshkrimi i marrëveshjes me Prishtinën po afrohet, shanset që do t’i mbërrijnë sanksionet janë shumë të vogla, por Parlamenti i Bashkimit Evropian është i lirë të kalojë një rezolutë për t’i pezulluar negociatat, dhe në mes të krizës në Ukrainë, do ta ketë përkrahjen e shumicës së qytetarëve të BE-së”, kanë thënë burimet e “Danasit”.

Në fjalë të tjera, Vuçiqi ka pak orë në dispozicion që ta formojë Qeverinë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Serbia është ndër të paktat vende që kanë refuzuar të vendosin sanksione, në vijë me shtetet e Perëndimit, kundër pushtimit rus të Ukrainës.