Bota

BE-ja përgatit paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë 

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të përgatisin sanksione të reja ndaj Rusisë dhe të rrisin dërgesat e armëve në Kiev, raporton Reuters.

27 ministrat e Jashtëm të bllokut ndodhen në New York për mbledhjen vjetore të liderëve botërorë në Kombet e Bashkuara.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se njoftimi i presidentit rus Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm – i cili përfshinte lëvizje për të aneksuar pjesë të territorit ukrainas dhe një kërcënim për përdorimin e armëve bërthamore për të mbrojtur Rusinë – tregoi panik dhe dëshpërim.

“Është e qartë se Putini po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën”, u tha Borrell gazetarëve pasi ministrat u takuan për të vendosur se si të përgjigjen.

Pasi u informuan nga ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, ministrat ranë dakord të ngarkojnë ekipet e tyre për të përgatitur një paketë të tetë sanksionesh që do të synonte sektorë më të rëndësishëm të ekonomisë ruse dhe do të vazhdonte të synonte njerëzit përgjegjës për luftën e agresionit në Ukrainë.

Ministrat e BE-së do të mbajnë takimin e tyre të ardhshëm zyrtar në mes të tetorit, kur një paketë sanksionesh mund të zyrtarizohet.

Ministrat ranë dakord gjithashtu të rrisin furnizimet me armë në Ukrainë. Borrell nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme mbi llojin e sanksioneve apo mbështetjes ushtarake, por ka thënë se besonte se do të kishte mbështetje unanime brenda bllokut për masa të reja.