Lajme

BE-ja kritikon Serbinë për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë

Ditëve të fundit, ka pasur reagime nga institucionet e Bashkimit Evropian lidhur me debatin në Serbi mbi përgjegjësinë për krimet e luftës dhe gjenocidin në Srebrenicë.

Disa reagime kanë qenë direkte dhe janë lidhur me aktivitetin e Policisë së Serbisë për të parandaluar fshirjen e muralit kushtuar liderit ushtarak të serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje. Por, disa reagime kanë qenë më shumë të përgjithësuara, pa iu referuar rasteve të caktuara.

Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian përmes një letre drejtuar udhëheqësve në Serbi, tha se “një shtet që aspiron anëtarësimin në BE, nuk mund të angazhojë policinë për të ruajtur një mural të një krimineli të luftës”.

“Mbrojtja e muralit është edhe një shembull se çfarë mendon Qeveria e Serbisë dhe presidenti (serb, Aleksandar) Vuçiq për pajtimin, sundimin e ligjit, demokracinë dhe bashkëpunimin rajonal. Edhe një herë, në mënyrë eklatante, autoritetet e Serbisë dhe zyrtarët politikë kanë dëshmuar se nuk respektojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe vendimet e saja, sikurse edhe viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi”, thuhet në letrën e nënshkruar nga disa deputetë të PE-së, në mesin e të cilëve edhe Tonino Picula nga Kroacia dhe Viola von Cramon nga Gjermania.

Burimet në Parlamentin Evropian kanë thënë se letra i është ofruar për nënshkrim edhe raportuesit për Serbinë, Vladimir Bilçik, por ai nuk e ka nënshkruar. Më vonë, Bilçik përmes rrjeteve sociale ka thënë se në raportin e tij për Serbinë është thënë qartë se dënohet çdo glorifikim i kriminelëve të luftës dhe mohimi apo relativizimi i krimeve.

Thirrje për pajtim dhe tejkalim të trashëgimisë nga e kaluara dhe përmbajtje nga glorifikimi i kriminelëve të luftës, ka bërë edhe Komisioni Evropian.