KryesoreShqipëri

Basha: Shqipëria, drejt grushtit të shtetit

“Shqipëria po shkon drejt një situate të grushtit të shtetit, të organizuar nga mafia, në bashkëpunim me Edi Ramën dhe kupolën e tij, të ardhur në pushtet jo nga qytetarët, por nga mafia”. Kështu e nisi Lulzim Basha bashkëbisedimin me gazetarët në selinë e PD.

Kreu i opozitës tha se Kryeministri Edi Rama e nisi karrierën e tij politike, si Kryebashkiak, duke bashkëpunuar me grupet kriminale, për të kulmuar me vjedhjen, sipas tij, të zgjedhjeve parlamentare të para dy viteve.

“Nuk ka asnjë pikë dyshimi që zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 u diktua nga krimi i organizuar, nga paratë e pista të drogës, nga kërcënimi masiv, nga shantazhet, nga Avdylajt në Tiranë, nga Shullazët në Tiranë, nga Bajrajt në Shkodër te Balilët në Sarandë. Këto rrjete kriminale, përmes një skeme të urdhëruar nga Edi Rama dhe kupola socialiste realizuan kapjen e procesit zgjedhor të vitit 2017”, u shpreh Basha.

Sipas kreut të PD, denoncimi për këtë situatë u bë që në momentin e parë përmes ministrave teknikë, ndërsa shtoi se edhe raporti i OSBE-ODHIR e cilësoi shit-blerjen e votës si problemin numër një.