Baseli e zyrtarizon Edon Zhegrovën
Edon Zhegrova edhe zyrtarisht i ka ndarë rrugët me klubin belg Genk dhe i është bashkuar Baselit në Zvicër, shkruan Gazeta Express.
Pasi Genku njoftoi përmes një postimi në faqen e vet zyrtare se ka arritur marrëveshje me Baselin për transferimin e sulmuesit kosovar, tani ka ardhur konfirmimi edhe nga ana e klubit zviceran.
Anësori i ekipit kombëtar të Kosovës i bashkohet Baselit në formë huazimi për një sezon e gjysmë, deri në edicionin 2019/20, me klubin zviceran që thotë se ka opsionin për ta blerë 19-vjeçarin në fund.
Zhegorva kalon në kampionatin zviceranë për të gjetur më shumë mundësi për të luajtur, të cilat i kanë munguar në Belgjikë.
Në 27 ndeshje zyrtare për belgët, anësori kosovar, i cili mund të luajë në të dy krahët e sulmit, i ka shënuar 5 gola dhe ka dhuruar tri asiste.
Ai iu bashkua Genkut nga St. Truiden Res në vitin 2017 dhe tani do ta bartë fanellën e Baselit.
Gjatë këtij afati kalimtar është raportuar se për shërbimet e talentit kosovar kishin shprehur interesim edhe klube të mëdha si Barcelona, Milan dhe Lazio.