Të fundit

Banorëve të fshatrave të komunës Preshevës nga tani i duhet adresa e vendbanimit për t’u pajisur me dokumenta në administratën e njësive policore

Vështirësi administrative në Preshevë: Banorët e fshatrave Rahovicë, Bushttran, Geraj e të tjerat, mund të rrezikojnë të mbesin pa dokumente për shkak të mungesës së numrit të shtëpisë

Qytetarët e komunës së Preshevës, veçanërisht ata që jetojnë në fshatra, si duket do të përballen me pengesa të reja serioze për pajisjen me dokumente personale si letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë-shoferi, pas ndryshimeve të fundit në praktikat administrative të njësive policore.

Sipas informatave nga burime të brendshme në administratën policore të Preshevës, pa një numër të saktë të shtëpisë, qytetarët nuk mund të rregullojnë- vazhdojnë të marrin dokumente personale të reja. Kjo prek të gjithë ata që në dokumentet e tyre kanë adresë të pa saktësuar, si p.sh. Orahovica bb, Buštranje bb, Alidjerce bb, etj.

Për të përfituar dokumente, qytetarët duhet të paraqesin certifikatë adrese me caktimin e numrit të shtëpisë nga shërbimi kadastral ose të sigurojnë dokument përmes noterit, së bashku me fletën poseduese të shtëpisë.

Por problemi mund të thellohet për ata që kanë ndërtuar shtëpinë pa leje ose nuk kanë legalizuar e që këtë nuk mund të caktojnë numrin e shtëpisë në kadastër – sepse kjo nënkupton që shtëpia:

është ndërtuar pa leje, ose nuk ka kaluar në proces legalizimi.

Në këto raste, numri i shtëpisë nuk mund të merret, çka do të thotë se këta qytetarë mund të mbeten pa të drejtë për të rreglluar dokumentet personale, përfshirë letërnjoftimin duke u vendosur kështu në një pozitë shumë të vështirë ligjore e qytetare.

Gjithashtu, nëse prona është në emër të babait apo një të afërmi tjetër, është e domosdoshme prania fizike e pronarit në sportel gjatë aplikimit. Pas dorëzimit të dokumenteve, policia del në terren për të bërë verifikim nëse personi aplikues jeton realisht në adresën e deklaruar. Vetëm pas këtij verifikimi mund të lëshohet dokumenti i ri.

Këto zhvillime kanë nxitur indinjatë dhe shqetësim në rritje mes qytetarëve, të cilët shprehen se kjo është një barrë e padrejtë dhe diskriminuese ndaj komunitetit shqiptar në Luginë. Ekziston frika se kjo praktikë do të çojë në pasivizimin masiv të adresave dhe të të drejtave qytetare, veçanërisht për mërgimtarët që janë më të prekurit nga kjo praktikë pasi që ata nuk mund të qëndrojnë me muaj në Preshevë për të rregulluar dokumentet.

“Ne jemi duke u larguar nga e drejta për të ekzistuar ligjërisht në shtëpitë tona. Kush nuk ka numër shtëpie, nuk ka dokumente dhe kështu zhduket nga sistemi,” u shpreh një qytetar i zhgënjyer nga Rahovica.

Ndërkohë, spektri politik shqiptar në Luginë akuzohet për heshtje dhe mungesë të reagimit institucional, duke u përqendruar në debate të parëndësishme, ndërsa qytetarët përballen me sfida ekzistenciale në vendin e tyre./A1info