Opinione

‘Ballkan i hapur’, varianti ekonomik i ‘Botës serbe’

Prof. Lisen BASHKURTI

Ndonëse u bënë disa vjet dhe janë konsumuar disa samite trepalëshe sërish nisma “Ballkani Hapur” vazhdon të ngelet thjeshtë një trojkë Ballkanike. Nisma është inicuar nga Serbia, në të njëjtën kohë me idenë e “Botës Serbe”. Për këtë arsye nisma “Ballkani Hapur” tingëllon si një ribrandim i doktrinës gjeopolitike Serbe në Ballkan. Nisma ‘Ballkani Hapur’ është variant ekonomik i “Botës Serbe’. Është pikërisht kjo arsyeja që nisma ka ngjallur një skepticizëm të madh dhe të pandryshueshëm prej vitesh.
Nisma “Ballkan i Hapur” ka nisur e tkurrur, e fragmentuar dhe me paqartësi në perspektivën dhe shtrirjen e saj. Këto dobësi të nismës burojnë parasëgjithash dhe në krye të të gjithave për shkak të mos mbështetjes së saj në shumë nivele: në nivele kombëtare, rajonale, Evropiane dhe ndërkombëtare.

1.Mbështetje okulte jo kombëtare

Nisma “Ballkan i Hapur” ka nisur nga Beogradi dhe është mbështetur në mënyrë okulte nga dy kryeministrat, të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Rama dhe Zaev. Në Shqipëri nisma “Ballkan i Hapur” filloi gati-gati si një iniciativë konspirative. Ajo nuk u parapri dhe as nuk u shoqërua me paraqitje të hapur transparente në Kuvendin e Shqipërisë, në Komisionin e Politikës së Jashtme të tij, nuk iu nënshtrua debateve publike dhe konsultave me grupet e interesit. Gjithcka ndodhi si një rrufe në qiell pa re. Akoma më tej nisma ”Ballkan i Hapur” nuk u parapri me bisedime, dialog e negocime me Qeverinë e Kosovës, partneriteti me të cilën ka qënë e ngelet strategjik për Shqipërinë.
Në historinë e tranzicionit demokratik të Shqipërisë ka pasur një traditë shumë të mirë. Politika e jashtme e vëndit është mbështetur kurdoherë në konsesus. Orientimi Euro-Atlantik, integrimi Evropian, politika e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimi rajonal kanë pasur një mbështetje të gjërë dhe të qëndrueshme konsesuale në politikën shqiptare.
Shqipëria ka marrë pjesë aktivisht në gjithë nismat Rajonale si Pakti i Stabilitetit, Bashkëpunimi Ekonomik e Detit të Zi, Nisma e Evropës Qëndrore, Bashkëpunim i Evropës Juglindore, Karta e Adriatikut, Nisma Adriatiko-Joniane – që në tërësinë e tyre i kanë shërbyer në mënyrë të drejtë e të barabartë vëndeve të Rajonit tonë për paqen, stabilitetin, demokracinë, zhvillimin, prosperitetin social-ekonomik dhe integrimin European dhe Euro-Atlantik. Të gjitha këto nisma janë zhvilluar nëpërmjet proceseve dhe procedurave të hapura, me qëllime të qarta, objektiva të përcaktuara, projekte zhvillimore të dakorduara, plane veprimi, paketa financiare fizible dhe kështu kanë siguruar mbështetje politike konseusuale në nivele nacionale. Në analizë të fundit gjithë këto nisma i kanë shërbyer përgatitjes së vëndeve të rajonit për integrimin European dhe Euro-Atlantik.
Konsesusi politik kombëtar i siguron nismave të tilla perspektivë, qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi. Nisma “Ballkani Hapur”, e inicuar nga Serbia, si variant ekonomik i “Botës Serbe’, dhe e mbështetur në mënyrë okulte nga dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Rama dhe Zaev nuk ndoqi proceset dhe procedurat e hapura e transparente të nismave parardhëse rajonale. Kështu që “Ballkani i Hapur” nuk gjeti mbështetje politike konsesuale as në vëndet që iu bashkuan nismës. Me këtë nisma “Ballkani i Hapur” ka vënë në dyshim perspektivën, qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e saj.

Mbështetje fragmentale, jo rajonale

Nisma në fjalë e ka emrin “Ballkan i Hapur”, por në fakt duket të jetë thjeshtë një trojkë Ballkanike e asgjë më shumë. Është një asimetri e vërtetë midis emrit të lancuar dhe realitetit brënda nismës. Është i njohur përcaktimi biblës kur thotë se “mënyra sesi vijmë në këtë botë, përcakton edhe mënyrën sesi largohemi prej saj”.
Nisma “Ballkani i Hapur” nisi si shumica e nismave tradicionale Ballkanike, midis konspiracionit e publicitetit. Ajo u lancua pothuajse paralelisht me nisëm e “Botës Serbe”, e cila është parashtrimi në emër të ri të një doktrine të vjetër të Serbisë së Madhe. ‘Bota Serbe’ është vazhdimi në realitetet të reja të doktrinës së Nacertanies të Ilia Garashaninit, të doktrinës së “Përzënies të Shqiptarëve” të Vasa Cubrilovicit, të doktrinës së Ivo Andricit, të Memorandumit SANU të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe së fundmi të doktrinës së Sllobodan Milloshevicit dhe pasuesve bashkëkohor të tij.
Lancimi i ‘Ballkanit të Hapur’ paralelisht me “Botën Serbe” lypet të vihet në një kontekts të gjërë Ballkanik. Serbia sic do shtet tjetër, nuk mund të ketë dy politika të jashtme. Serbia ka një dhe vetëm një politikë të jashtme. Ajo mishërohet në qëllimin e saj për restaurimin e pozitave të Serbisë në Ballkan me anë të disa rrugëve.
Së pari, nëpërmjet bllokimit të Kosovës dhe nxitjes së minoritetit Serb në Veri dhe në komunat me shumicë Serbe, me anë të projektit të asociacionit të tyre. Së dyti, nëpërmjet politikave separatiste të Republikës Srbska, të udhëhequr nga nacionalisti Dodik në Bosnie-Hercegovinë. Së treti, nëpërmjet nxitjes së nacionalizmit pro-Serb në Mal të Zi. Së katërti, nëpërmjet mbështetjes në prapavijë të Kishës Ortodokse Serbe si një organizatë politike dhe jo klerikale thellësisht nacionaliste në gjithë zingjirin e vëndeve përreth Serbisë. Së fundi, nëpërmjet mbështetjes së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe elaborateve të tyre të bazuara në mite manipulative të historisë dhe identitetit të Serbisë kudo në botë.
Skepticizmi i thellë rajonal kundër nismës ‘Ballkani i Hapur’ është në fakt skepticizëm i qartë dhe i dukshëm kundër doktrinës restauratore të “Botës Serbe” në kushtet e rendit bashkëkohor. Qëndrimet e Bosnie-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës kundër kësaj nisme janë na fakt qëndrime mos aprovuese për doktrinën e “Botës Serbe”. Të tre këto vënde kanë bashkëjetuar thuajse një shekull me Serbinë në kuadër të Jugosllavisë. Ato e njohin politikën e Serbisë më mirë se kushdo tjetër në Ballkan. Kundërshtimi i tyre duhet dëgjuar me kujdesin më të madh dhe lypet të merret seriozisht në konsideratë.
Shumëcka ka ndryshuar në Ballkan. Vetëm Serbia ka ndryshuar fare pak. Kushtetuta e Serbisë është e mbështjellë plotësisht me doktrinën e “Botës Serbe”, ose e thënë ndryshe e nacionalizmit serbo-madh. Politikat publike bazë të Serbisë synojnë mbështetjen e projekteve nacionaliste Serbe. Presidenti Vucic, Qeveria Bernabic , Parlamenti Serb me Dacic, në kohezion të plotë mbështesin një tërësi politikash që synojnë zgjerimin e pranisë dhe të influencave Serbe në Ballkan. Pakicat e huaja brënda Serbisë marxhinalizohen, eksterminohen, injorohen nga cdo proces politikë-bërje e vendim-marrje me rëndësi. Kjo duket më qartësisht se kudo në Luginën e Preshevës. Nga ana tjeter, pakicat Serbe rreth e rreth Serbisë nxiten për mosbindje politike, ligjore e civile ndaj shteteve ku jane dhe për separatizëm pro Beogradit.
Kosova, Mali i Zi dhe Bosnie-Hercegovina e ndjejnë më shumë se kushdo tjetër këtë politikë gravitacionale etnocentriste të Beogradit. Projekti ‘Ballkan i Hapur’ synon që parasëgjithash të mbështetë këtë rrjet pakicash serbe kudo në Ballkan nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës ekonomike e tregëtare, projekteve të hapura për fuqizimin e tyre dhe inflirtimin në punët e brëndshme të shteteve Ballkanike. Atë që Serbia e bën hapur në Kosovë, Bosnie-Hercegovinë e Mal të Zi, synon ta bëjë në mënyrë tërthore e të padukshme ose sa më pak të dukshme edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut nëpërmjet “Ballkanit të Hapur’.
Për të gjitha këto arsye tre shtetet e Ballkanit Perëndimor, pra gjysma e Rajonit, nuk e mbështesin këtë nismë, janë skeptik ndaj Serbisë dhe kundërshtojnë një “hapje” të tillë me një shtet që ka tendenca të dukshme restauratore të doktrinës së Serbisë së Madhe. Për vlerësimin e politikës së jashtme të një shteti nuk ka gjithac rëndësi se cfarë deklaron në retorikën e vet politike ai shtet, por në mënyrën sesi ai vepron e sillet me fqinjët e shtetet e rajonit perreth. Serbia ka një dyzim fare të qartë midis asaj që deklarohet dhe asaj që vepron dhe sillet me fqinjët e saj dhe vëndet e Ballkanit në tërësi.

Ambiguitet Evropiane, jo mbështetje e BE

Bashkimi Evropian është përballë një sfide të vërtetë në politikat e zgjerimit ndaj Ballkanit Perëndimor. BE ka bërë të qartë me deklarata, me veprime, me sjellje, me projekte dhe financime të konsiderueshme se është për integrimin e Ballkanit Perëndimor në organizatë.
Pavarësisht kësaj mbështetje Evropiane, sërish vëndet e Ballkanit Perëndimor po ecin ngadalë në procesin e integrimit. Ato po ndeshen me probleme të shumta që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, mirëqeverisjen, të drejtat e njeriut, ekonominë e tregut dhe politikat e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit Rajonal. Të gjitha vëndet e Ballkanit Perëndimorë kanë probleme në këto aspekte. Përvec këtyre problemeve, Ballkani Perëndimor ka në qëndër një shtet që është shumë evaziv në pranimin e adoptimin e vlerave Perëndimore të demokracisë liberale. Ky shtet është Serbia. Serbia është pengesa kryesore e integrimeve Europiane dhe Euro-Atlantike të Ballkanit Perëndimor. Prapa Serbisë është doktrina gjeopolitike e Federatës Ruse.
Serbia mbas ngjarjeve të viteve ‘99 u deklarua se do orientohej tërësisht drejt Bashkimit Evropian, sikundër do të qëndronte në neutralitet ndaj politikave strategjike të NATO-s. Ndërkohë, fare pak vite më vonë, Serbia bëri një kthesë të plotë në prioritetet e saj në politikën e jashtme. Ajo adoptoi shumë shpejt një politikë të jashtme dy-vektorëshe, Euro-Ruse, si në planin politik, ashtu edhe atë ekonomik e strategjik.
Sot Serbia është vokacioni Evropian në Kremlin dhe vokacioni Rus në Evropë. Akordi Serbo-Rus tanimë dëgjohet gjithandej. Kjo, sepse edhe Rusia ka bërë ndryshime të mëdha gjeopolitike e gjeostrategjike. Mbas viteve ’90-të Presidenti Jelcin u pat deklaruar se Rusia do të ndiqte një qasje rajonale në politikat ndaj Ballkanit. Por, me të ardhë në Kremlin Presidenti Putin, Federata Ruse u deklarua se do ndiqte politika të prioritizimit individual në Ballkan, duke pasur parasysh Serbinë. Rusia, iu kthye kështu doktrinës së vjetër gjeopolitike drejt Ballkanit, të bazuar në aleancën me Serbinë, popullin sllav dhe ortodoks serb. Kjo politike prioritare e individualizuar Ruse me Serbinë duket si në projektet e përbashkëta politike, diplomatike, strategjiko-ushtarake dhe ekonomike midis Serbisë dhe Rusisë, por duket gjithashtu edhe në mbështetjen që Rusia po i bën politikës së Republikës Serbska në Bosnie-Hercergovinë dhe personalisht nacionalistit Dodik, në ndërhyrjen pa precedent në Malin e Zi dhe në bllokimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Gjithcka në Beograd po merr pamjen e Rusisë së Vogël.
I vënë në një situatë kritike dhe komplekse, Bashkimi Evropian po përpiqet me ‘stick and carrot’ ta mbajë Serbinë në track-un e vet integrues. Mbas vitit ’99 Bashkimi Evropian po përpiqet të ri-ekuilibrojë politikat e tij në nivel Rajonal. Thellimi procesit të integrimit me avancimin e kapitujve të tjerë për Serbinë, po dëshmon se Bashkimi Evropian si ‘soft poëer’ po dëshmon se po rritë praninë dhe ndikimin e tij në tërë Rajonin. Integrimi në BE vazhdon të konsiderohet si projekti magjik për vëndet e Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, BE vijon të rrisë politikat e presionit që Serbia të mbështesë Europianizmin e saj dhe të reduktojë Rusifikimin. Karta e njohjes së Kosovës nga BE dhe shtetet antare të saj bie gjithnjë si këmbanë alarmi mbi Beogradin. Por, frika në BE se Serbia mund të shndërrohet në ‘Kalë Troje’ të Rusisë brënda BE është e dukshme, por, ama, diplomacia e BE din fare mirë të fshehë këtë frikë me ngjyra e tone optimiste.
Diplomacia e BE duket edhe na qasjen ndaj nismës së “Ballkanit të Hapur”. Institucione dhe personalitetet të ndryshme brënda BE kanë mbajtur e mbajnë qëndrime kontraverse ndaj kësaj nisme cka do të thotë se BE nuk e mbështetë nismën. Për një kohë të gjatë “Ballkani i Hapur” u konsiderua nga zërat e BE si përpjekje për gjetjen e një alternative të integrimit në BE. Më pas u shtuan zërat që vëndet e Ballkanit Perëndimor duheshin fokusuar në Procesin e Berlinit si një projekt i BE ndaj Ballkanit Perëndimor. Kohët e fundit nga Brukseli zyrtar kemi dëgjuar qartësisht definicionin sipas të cilit “Ballkani i Hapur” “nuk është një nismë e shëndetshme”. Ndërsa në samitin e fundit të Tiranës, komisioneri për zgjerimin i BE, Varhelhy u shpreh se e admironte këtë nismë dhe apeloi që vëndet e tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkëngjiten nismës.
Por, në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe pa kurrëfarë ambiguiteti diplomacia e BE flet me zërin e Berlinit zyrtar për nisëmn “Ballkani i Hapur’. Qeveria e re Gjermane e Olaf, u deklarua në të njëjtën linjë me qeverinë paraardhësi të Merkelit lidhur me “Ballknin e Hapur’. Qeveria Olaf u shpreh qartazi se nuk mbështet “Ballkanin e Hapur”, por Procesin e Berlinit, i cili është një investim i drejtpërdrejtë i BE për të përgatitur Ballknin Perëndimor me tregun e saj si dhe për të siguruar një konektivitet rajonal dhe midis rajonit dhe organizatës. Pra, diplomacia e BE nuk mbështet mbivendosje nismash rajonale përvec atyre të inicuara dhe të financuara prej saj.
Me këto qëndrime variable BE vetëm e ka rritur skepticizmin e mëtejshëm të vëndeve të Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkuar ‘Ballkanit të Hapur’. Në thelb politikat e BE maten jo me deklaratat shumëngjyrëshe të diplomacisë së saj, por me paketën financiare që mbështet këto politika. Deri tani asnjë cent nga financat e BE nuk është hedhur për ‘Ballkanin e Hapur’, ndërkohë që projektet e BE, duke përfshirë edhe procesin e Berlinit kapin një shumë prej afro 30 miliard euro për Ballkanin Perëndimor. Në BE euro-t flasin më shumë se fjalët. Si ‘soft power’ BE është organizata e euro-diplomacisë.

ShBA mbështet Ballkanin Perëndimor, jo trojkën

Ne dekadën e fundit diplomacia e ShBA ndaj Ballkanit Perëndimor ka lëvizur në një trajektore krejt të kundërt me atë të Federatës Ruse. Ndërsa Rusia ka kaluar nga qasja rajonale me ekulibre Ballkanike nën Presidentin Jelcin, drejt prioritizimit të casjes individuale pro-Serbe nën Presidentin Putin, ShBA kanë kaluar nga casja prioritare individuale pro-Bosnie-Hercegovinës dhe Kosovës të Presidentëve Klinton e Bush, drejt casjes rajonale me ekulibre Ballkanike të Presidentëve Obama dhe Biden.
Në këtë kontekst lëvizjet e diplomacisë së ShBA drejt Ballkanit Perëndimorë synojnë që të tërheqin Serbinë nga gravitacioni i Kremlinit drejt hapsirave Europiane dhe Euro-Atlantike. Pavarësisht efikasitetit të diplomacisë së ShBA në Ballkanin Perëndimorë, casja rajonale e tyre do të sjellë impakte me rëndësi me kalimin e kohës për fuqizimin e vlerave Perëndimore në këtë rajon. Këtë proces transformimi rajonal të Ballkanit Perëndimor do e lehtësojë dhe shpejtojë ballafaqimi në rrafsh ndërkombëtare midis Perëndimit në tërësi dhe Federatës Ruse në vecanti.
Vendosja e diplomacisë së ShBA në kontekst rajonal në Ballkanin Perëndimorë duket qartësisht edhe në mënyrën sesi diplomacia Amerikane i është përafruar nismës së ‘Ballkanit të Hapur’. Qëndrimi ShBA për këtë nismë është definuar qartësisht në kuadër Rajonal: ShBA mbështesin nismën ‘Ballkan i Hapur’ nëse asaj i bashkëngjiten të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimorë, përndryshe nisma nuk mund të ketë sukses. Ky qëndrim Amerikan është i qartë dhe parimor.
Ballkani Perëndimor nuk është trojkë, por është format gjashtë shtetesh dhe si i tillë ai lypet të formatizojë dhe realizojë gjithë iniciativat e tij rajonale. Kalimi i nismës “Ballkan i Hapur’ nga trojka aktuale në format gjashtë shtetesh kërkon që Serbia të heq dorë nga qëllimi djallëzor për përdorimin e kësaj nisme si variant ekonomik i “Botës Serbe’, që mbështetja okulte nga dyshja Rama-Zaev të zëvëndësohet nga gjithëpërfshirja dhe konsesusi politik dhe shoqëror në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, që të vijojnë bisedimet, dialogu e negociatat me Malin e Zi, Bosnie-Hercegovinën dhe Kosovën për përafrimin e qëllimit, të objektivave dhe projekteve të drejta dhe të barabarta për gjithë Rajonin, që të sigurohet mbështetja e plotë dhe institucionale e financiare e BE dhe e ShBA. Përndryshe nisma ‘Ballkan i Hapur’ do shuhet si shumë nisma rajonale Ballkanike, prapa të cilave janë fshehur qëllime krejtësisht të kundërta nga ato të parashtruara publikisht.