Asociacioni mund t’i tensionojë raportet Kosovë – SHBA
Replika e kryeministrit Albin Kurti, në kërkesën e ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas opozitës, mund të ndikojë në dëmtimin e raporteve me SHBA-në.
Të mërkurën më 16 qershor, ambasadori Philip Kosnett tha se “Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
Duke iu referuar kundërshtimit të qeverisë që të çojë përpara formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ambasadori Kosnett tha se “vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”.
Por, pas deklaratës së ambasadorit Kosnett, vet kryeministri Kurti tha se nuk mund të ketë asociacion njëetnik. Uashingtoni mbetet mbështetësi më i madh politik dhe financiar i shtetit të Kosovës.
Por, raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, filluan të luhaten në fund të vitit 2018, por në veçanti u tendosën në fillim të vitit 2020, kur asokohe qeveria “Kurti I”, kishte refuzuar që të largonte tarifën doganore prej 100 për qind, për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja.
Dështimi për të larguar taksën, bëri që senatori amerikan, David Perdue, të kërkonte që SHBA-ja të rishqyrtonte praninë e saj ushtarake në Kosovë.