Maqedoni

Arrestohet kryepolici në Bllacë, u merrte para udhëtarëve shqiptarë që hynin në Maqedoni e Veriut

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Nazim Bushi, ka bërë të ditur se është arrestuar nga Policia maqedonase shefi i ndërrimit në pikëkalimin Bllacë, pasi u kap me kamerë të fshehtë duke kërkuar nga 20 euro për pasagjerët shqiptarë që hynin në Maqedoninë e Veriut.

“Menjëherë pas marrjes së lajmit, kontrolli i brendshëm e ka arrestuar”, konfirmoi Bushi për RTV21.

Mësohet se i arrestuari i parë është E.Sh nga Shkupi, shef turni në pikëkalimin mes RMV-së dhe Kosovës, ndërsa zyrtari tjetër policor që duket në video mësohet se është Z.R.

Skandali u zbulua pasi një biznesmen, që merret me transport udhëtarësh denoncoi në emisionin “Stop” në TV Klan Shqipëri, presionin që i bëhet duke i kërkuar ryshfet për një shërbim që duhet të ishte falas dhe që i takon në kufi.