Arrestohet i riu nga Bujanoci, pasi qëlloi me armë nga makina gjatë festimeve për fitoren e Shqipërisë
Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Bujanoc kanë arrestuar një të ri me inicialet V.A. (2002) nga komuna e këtij qyteti, i dyshuar për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.
Sipas njoftimit zyrtar, përcjell preshevacom, i dyshuari u arrestua për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit se më 11 tetor 2025, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit midis kombëtareve të Republikës së Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë, ka qëlluar me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, gjatë festimeve për fitoren e Shqipërisë.
Me urdhër të prokurorit kujdestar në Prokurorinë Themelore Publike në Vranjë, V.A. është ndaluar për 48 orë, pas së cilës do të dërgohet në prokurori me kallëzim penal.
Autoritetet policore njoftojnë se po vazhdojnë hetimet për ndriçimin e plotë të rastit dhe për identifikimin e mundshëm të personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.