Shqipëri

Arrestohen në Kukës 19 persona për kultivim e trafikim droge, ndër ta edhe zyrtarë policorë

Kukës, 20 maj – Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, në bashkëpunim me prokurorinë e Kukësit kanë finalizuar me sukses operacionin “Shënmeria”, ku kanë përfunduar në pranga 19 shtetas, midis tyre edhe ish-shefi i Komisariatit të Kukësit, aktualisht funksionar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Arben Kalaja, polici i Komisariatit të Kukësit Ramiz Cena dhe Arben Tuci, vëllai i kryetarit të bashkisë së Fushë-Arrëzit.

Hetimi i nisur qysh prej vitit 2018 nga prokuroria e Kukësit çoi në arrestimin e 19 personave nga zona e Kukësit, Pukës, Krujës dhe Lezhës, të cilët kundrejt shumave të parave që u jepnin policëve, dyshohet se arrinin të merrnin garanci prej Ramiz Cenajt, Arben Kalasë dhe Naim Kadiut që të mbillnin parcela me lëndë narkotike në zona të thella të Pukës dhe Kukësit.

Një ndër zonat që trafikantët kishin piketuar dhe mbjellë me fidanë hashashi ishte dhe “Kodra e Spasit” në Njësinë Administrative të Malziut në Kukës dhe në Munellë të Pukës. Ndërkohë që vëllai i kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit, Arben Tuçi , njihet nga policia si kontingjent kriminal në këtë zonë, kryesisht në kultivimin dhe tregtimin e lëndëve narkotike.

Albert ose Arben Tuci rezulton i dënuar me parë me 7 vjet burgim për akuzën e “Trafikut të Narkotikëve”, dënim të cilin pasi e ka përfunduar është liruar. Në këtë dosje Arben Tuci besohet se luante rolin e gjetjes së klientëve për të blerë drogën kryesisht në Kosovë dhe Malin e Zi. Mes personave të tjerë të arrestuar janë Kreshnik Murataj, i cili besohet se së bashku me Shkëlqim Skacin ka qenë drejtuesi i këtij grupi kultivuesish, por jo financuesi i mbjelljes së hashashit. Sa u përket financuesve, nga raportimet paraprake thuhet se qëndrojnë pas biznesmenë që operojnë në Shkodër dhe në Tiranë. Ky grup kishte shtrirje nga Gjirokastra, në Pukë dhe Kukës, ku ishin të përfshirë edhe Sali Kovaçi, Zamir Myftari, Floriand Myftari, Pal Përgjergji, Ramiz Cenaj, Naim Kadiu, Akil Buna nga Kruja, Arben Bejko nga Gjirokastra, Durim Vata, Besart Dreni, Tarzan Veseli, Besnik Coka, Petrit Pashku, Benard Kordhaku, Shpëtim Topuzi, Zenel Meçe, Ardiatik Hoxha dhe Rezart Tahiri. Mësohet se “koka” e këtij grupi ishte Kreshnik Murataj, i cili kishte parcelat me kanabis. Në një nga përgjimet ambientale mësohet se Kreshnik Murataj shkëmbente kanabis me armë .

Më konkretisht, në datën 27 gusht të vitit 2019, janë arrestuar në flagrancë Adriatik Hoxha dhe pasagjeri Rezart Tahiri, të cilëve iu gjetën dy armë zjarri dhe 871 fishekë. Ndërkohë në automjetin tjetër i priste Floriand Myftari, të cilit iu gjetën 3 kilogramë kanabis. Në këtë operacion del në pah edhe roli i policisë.

Sipas dosjes hetimore , Ramiz Cena, punonjës i policisë së Kukësit, nuk ka asgjësuar të plotë sasinë e kanabisit të gjetur. Mësohet se në datën 19 gusht të vitit 2019, efektivët e policisë kanë shkuar për të asgjësuar parcelat me kanabis, 3 prej të cilave nuk janë asgjësuar. Droga ishte mbjellë sipër shtëpisë së Kreshnik Muratit, për të cilat kishte dalë garant punonjësi i policisë Ramiz Cena.