Arifi: Vendimi i kryeministrit Kurti për emërimin e Sinanit, përçan Luginën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Ardita Sinanin si Këshilltare Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Sinani më parë ka qenë kryetare e komunës së Preshevës dhe njëherit njihet si rivale e kryetarit aktual të Preshevës Shqiprim Arifi. Në një bisedë për Gazetën Express, Arifi ka thënë se ky vendim e dëshmon që “qasja e Vetëvendosjes ndaj shtetit të vet që e ka kidnapu Qeverinë për me e instrumentalizu atë ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës”.
Arifi tha se vendimi i Kurtit për emërimin e Sinanit krijon përçarje në vazhdimësi “në vend se të krijohet unitet në Luginë të Preshevës”.
Në vend se me kriju unitet në Luginë të Preshevës, ky vendim krijon përçarje në vazhdimësi. Vendos marrëdhënie me një parti për shkak se Sinani është kryetare e partisë së saj në Preshevë dhe është në një parti e cila është humbëse e të gjtiha zgjedhjeve, nuk e përfaqëson shumicën në vendin tonë dhe një parti të cilën Sinani e përfaqëson duke qenë e akuzuar për korrupsion”, ka thënë Arifi për Express.
Ai madje thotë se “krejt kjo që po ndodh është dëshmi e asaj që Liburn Aliu është personi i cili mundohet fatin e Preshevës me e ndiku me kësi vendime subjektive, përçarëse për Luginën e Preshevës”.
“Ai e ka Sinanin fqinje. Familjarizëm në një formë pakëz më ndryshe”, deklaroi Arifi.
Arifi ka ngritur dyshime se 2 milionë eurot e Qeverisë së Kosovës “janë planifikuar në formë shumë korruptive të shpërndahen në kanale dhe të shkojnë te Liburn Aliu dhe Vetëvendosja”.
“Vaj halli për neve ku ka ardhë Qeveria e Kosovës dhe vaj halli për shqiptarët e Luginës së Preshevës që duhet t’i përcjellin këto ngjarje të javëve dhe muajve të fundit nga një qeveri e tillë. Dhe në fund, po duket ashiqare që 2 milionë eurot e kanë përça vetë Qeverinë e Kosovës në drejtim të asaj që a t’i japin në Luginë të Preshevës apo të mos i japin duke e shkelur vendimin e Parlamentit të Kosovës. Sepse krejt këto bëhen për shkak të këtyre 2 milionë eurove, që ashiqare janë planifikuar në formë shumë korruptive të shpërndahen në kanale dhe të shkojnë te Liburn Aliu dhe Vetëvendosja”, ka thënë ai për Express. /GazetaExpress/