Të fundit

Arifi: Situata me pandeminë COVID-19 në Bujanoc e rëndë

Numri i madh i infektimeve me koronavirus gjatë muajit nëntor ka bërë që autoritetet në komunën e Bujanocit të shpallin situatë të jashtëzakonshme.

Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit, ka bërë të ditur për lajmi.net, se aktualisht për shkak të situatës së jashtëzakonshme që është shpallur nga vetë ai si komandant i shtabit të krizave, tashmë është mbyllur shkolla e mesme “Sezai Surroi” dhe mësimi është duke vazhduar online.

Arifi ka bërë të ditur se janë mbi 120 të infektuar dhe mbi 10 të vdekur vetëm brenda këtij muaji në komunën e Bujanocit.

“Sa i përket situatës me pandeminë COVID-19 në Bujanoc, situata aspak nuk është e mirë gjatë muajit nëntor. Deri në ditën e sotme kemi diku mbi 120 të infektuar dhe  mbi 10 të vdekur për fat të keq. Ne më 20 nëntor kemi shpallur situatë të jashtëzakonshme dhe kemi ndaluar të zhvillohet mësimi në shkollën e mesme “Sezai Surroi”, ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe.  Ka filluar të zhvillohet mësimi online. Sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Serbisë në moment kur shtabi për situata të jashtëzakonshme propozon që të shpallet situata e jashtëzakonshme, kryetari i komunës si komandant i shtabit, ka të drejtë të ndërroj dhe të merr masa konkrete të cilat ndoshta janë më drastike se në nivelin republikan, kështu që kam aprovuar masën që në shkollën “Sezai Surroi” të ndërpritet mësimi”, ka treguar Arifi.

I pyetur  se a ka më shumë viktimave dhe raste të reja ndër shqiptarët, Arifi ka thënë se, fatkeqësisht numri më i madh është nga shqiptarë marrë parasysh faktin që në Bujanoc shumica e popullësisë është shqiptare.

“Do me thënë, për fat të keq në komunën tonë është një situatë e jashtëzakonshme. Statistikat në bazë të etnisë nuk i kemi ndarë sepse të gjithë janë qytetarë të komunës së Bujanocit dhe shëndeti është mbi të gjitha, por për fat të keq ka më shumë shqiptar sepse popullata është më shumë shqiptare në komunën tonë”, ka deklaruar Arifi.

Për shkak të kësaj situate, tashmë kanë hyrë masa të reja në fuqi edhe nga Qeveria e Serbisë, ku pas orës 21:00 do të funksionojnë vetëm barnatoret dhe pikat e karburantit  kurse gastronomia do të mbyllet në ora 18:00.

“Po ashtu që nga dita e sotme fillon një masë e re ku të gjitha lokalet, restorantet dhe gastronomia kanë të drejtë të punojnë deri në orën 18:00, kurse lokalet të cilat merren me tregti ushqimore kanë të drejtë të punojnë deri në ora 21:00, kurse pas orës 21:00 janë të lejueshme vetëm barnatoret dhe pompat e derivateve”, shpjegoi Arifi.

Sa i përket testimeve, Arifi ka bërë apel tek shqiptarët në Bujanoc që të mos ngurojnë dhe të bëjnë testime në Shtëpinë e Shëndetit në këtë qytet, pasi siç theksoi ai, ka teste të mjaftueshme.

Sipas Arifit, situata me koronavirus është rënduar edhe më shumë pasi që banorët e komunës së Bujanocit, pra shqiptarët po ngurrojnë të shkojnë të testohen dhe po mjekohen në shtëpitë e tyre.

“Kemi kërkuar, por ka teste të mjaftueshme këtu në shtëpinë e shëndet, është një e mirë që edhe shfrytëzoj rastin që përmes juve të bëj apel te popullata shqiptare që të bëjnë testimin se a janë të infektuar me COVID-19 apo jo, sepse për fat të keq ende ngurrojnë, ende bëjnë mjekimin nëpër në shtëpi pa analiza dhe pa përkujdesje mjekësore. Kështu që të gjithë ata të cilët shohin apo vërejnë ndonjë shenjë të koronavirusit, është mirë që të bëjnë analiza sepse para së gjithash është për shëndetin e tyre, familjes por edhe të rrethit më të gjerë. Në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc bëhen të gjitha analizat për COVID-19, pra edhe PCR edhe serologjik”, theksoi Arifi.