Të fundit

Arifi: Raportet me Albin Kurtin i kam të shkëlqyera, ministri Aliu është bërë vegël e Kamberit dhe Sinanit

Kryetari i komunës Preshevës Shqiprim Arifi ka folur në një intervistë për gazetën ‘Reporteri’ rreth situtatës politike në Luginë dhe raportet me Qeverine e Kosovës dhe të të Shqipërisê, përcjell Ministria e Lajmeve.

Përçarja e politikës shqiptare në Luginë të Preshevës ditëve të fundit u bë temë edhe në Kosovë, ku kryeministri Albin Kurti doli hapur në mbështetje të Ardita Sinanit dhe kundër shkarkimit të saj nga pozita e kryetares.

Ndërsa, ministri Liburn Aliu që është me prejardhje nga Lugina e Preshevës akuzoi Shqiprim Arifin se nuk kishte gatishmëri për unifikim të shqiptarëve në Luginë.

Gazeta Online “Reporteri.net”, ka realizuar një intervistë me kryetarin e ri të Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili tregon raportet që ka aktualisht me kryeministrin Albin Kurti, dhe arsyen e ‘përplasjes’ me ministrin Liburn Aliu.

Ai flet edhe për akuzat që po i bëjnë ish-kryetarja Ardita Sinani e Shaip Kamberi, të cilët e akuzojnë për puç kundër vullnetit të qytetarëve, si dhe tregon planet që ka pas rikthimit në pozitën e kryetarit.

Jeni kthyer në pozitën e kryetarit të Preshevës, si e pritën qytetarët këtë, dhe si e keni gjetur komunën?

Qytetaret e kanë pritur shumë mirë pasi koalicioni i udhëhequr nga Ardita Sinani qe një vit për komunën e Preshevës nuk ka prodhuar asgjë pozitive, përkundrazi ka prodhuar dëshpërim më të madh, sepse as edhe një projekt nuk e ka realizuar, plus ka qenë një koalicion i brishtë që mund të prishet në çdo moment dhe kjo ka ndodhur.

Rikthimi im në pozitën e kryetarit ka shfaqur tek qytetarët një reagim pozitiv, për arsye se qytetarët e dinë se tani fillon puna. Komunën e e kemi gjetur në një kaos, pa disiplinë dhe organizim të brendshëm, me një situatë financiare rrezik shumë të madh që do të shihet në ditët në vijim se çfarë është.

Ish kryetarja Ardita Sinani dhe partia e saj, por dhe parti të tjera kanë drejtuar një mori akuzash ndaj jush duke thënë se me shkarkimin e saj keni bërë puç kundër vullnetit të qytetarëve dhe se i keni të përkohshme karriget. Si i keni parë këto akuza?

Znj. Sinani është një person që ka prodhuar shumë skandale në vitet e fundit, dhe nuk pres një maturi dhe mençuri ndaj kësaj situate që ka ndodhur.

Nuk është një puç demokratik kur i prishet koalicioni znj.Sinani për të dytën herë pasi i ka ndodhur edhe në vitin 2017, pasi e ka humbur shumicën dhe e ka futur komunën në një krizë institucionale, që nënkupton se ka mundur të shkohet në zgjedhje të reja.

Andaj, ne dhe partitë tjera jemi formuar si koalicion për të mbrojtur vendin që të mos shkojmë sërish në zgjedhje. Akuzat që i bën nuk janë të reja, pasi znj.Sinani njihet në komunën e Preshevës si person që akuzon pa bazë, kështu që është e pritshme dhe akuzat flasin edhe për vetveten.

Ish kryetarja Sinani ka thënë se Shqiprim Arifi duhet të kërkoj falje për siç thotë deklaratën që keni bërë në një nga televizionet “nuk e kemi çu atje [Shaip Kamberin në parlament] për t’u bërë avokat i Reçakut”. E keni thënë një gjë të tillë?

Deklarata ime e dhënë është nxjerrë nga konteksti dhe ma kanë keqpërdorur. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka nevojë Kamberi apo Sinani të jenë ata që i dalin zot kësaj çështje para Serbisë, i kanë dalë burra e burrnesha kësaj çështje dhe do t’i dalin çdoherë.

Për mua është qartas që personat e tillë mundohen në fatkeqësinë e gjithë Kosovës dhe në jetën e familjeve të tyre që kanë rënë në Reçak që janë masakruar të bëjnë politikë, dhe kjo është fatkeqësia.

Edhe Sinani edhe Kamberi të dytë që kanë padi për korrupsion nuk e kanë kredibilitetin e duhur të bëjnë politika në fatkeqësinë e familjeve tona që kanë rënë dëshmorë në Reçak dhe kjo është politikbërje dhe mundohen të nxjerrin një çështje nga një deklaratë që nuk ekziston në esencë.

Ditën që u shkarkua Sinani ju nuk shkuat në takim me kryeministrin Albin Kurti. Ministri Liburn Aliu ju akuzoi se ju ishit fajtor për mosunifikim të spektrit politik shqiptar në Luginë. Cila është e vërteta juaj?

Librun Aliu është bërë vegël e partisë së Kamberit dhe Sinanit për çështje familjare, pasi ka djalin e mixhës që ka qenë atëherë zv.kryetar i Kuvendit, por e ka edhe znj. Sinani kojshi në Preshevë.

Liburn Aliu nuk e ka kredibilitetin e duhur për të më akuzuar mua për diçka. I vetmi që e ka përçarë listën në bazë të marrëveshjes së Tiranës ka qenë Shaip Kamberi, por Liburn Aliu ka rënë në rrjetet dhe akuzat e partisë së Kamberit dhe Sinanit dhe i përsërit akuzat e tyre, kurse Albin Kurti nuk ka pasur faj në këtë drejim, por është keqpërdorur dhe instrumentalizuar nga ministri Aliu për t’i ndihmuar znj.Sinani.

Pse kjo përplasje e juaj në distancë me ministrin Liburn Aliu?

Për shkak të lidhjes familjare dhe shoqërore me Sinanin e Kamberit dhe të tjerë, Liburn Aliu u aktivizua.

Ne kemi qenë miq, familja e tij nga ana ime është e respektuar, unë një rrugë që ka qenë me emrin sllav ja kam ndërruar emrin me të familjes Aliu, dhe nuk e kuptoj si ka mundur të bie në ndikim dhe shpëlarje të trunit nga Sinani e Kamberi në drejtim timin.

Unë nuk kam filluar me këto akuza, por Aliu ka filluar të instrumentalizojë Kryeministrien në favor të Sinanit dhe Kamberit dhe unë detyrohem të tregoj të vërtetën dhe faktet, kurse Aliu supozon dhe akuzon në bazë të shpifjeve të Sinanit dhe Kamberit.

Cilat janë sot raportet tuaja me kryeministrin Kurti? Nëse janë të acaruara, pse?

Me kryeministrin Kurti kemi marrëdhënie të mirë, të shkëlqyeshme, një mirëkuptim dhe dakordim në një masë të madhe për politikvn në vendin tonë, në Kosovë dhe në rajon.

Me Albin Kurtin nuk kemi kurrfarë acarimi, të vetmen që kemi është Liburn Aliu që është bërë avokat i Sinanit dhe Kamberit dhe nuk varet prej meje, por nga Kurti nëse e lejon veten të ndikohet nga Liburn Aliu në drejtim timin apo jo, por nga ana ime në drejtim të Kurtit nuk ka asgjë të keqe.

A keni në plan të bëni kërkesë për takim me kryeministrin Kurti, por edhe atë të Shqipërisë, Edi Rama?

Normal që ne duhet të takohemi, t’i sinkronizojmë politikat, punët dhe të hartojmë një plan-veprim në lidhje me situatën tone në Luginën e Preshevës por edhe në lidhje me dialogun dhe projektet që Kosova dhe Shqipëria t’i realizojnë në komunën tonë.

Përndruyshe unë e kam edhe kërkesë shumë vjeçare që strategjia kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë të inkludojnë edhe Luginën e Preshevës dhe të gjitha këto, normalisht duhet t’i realizojmë dhe bisedojmë në takimet tona dhe pastaj t’i hedhim në letër, kështu që në këtë drejtim nuk ka asgjë kundër dhe nuk ka logjikë të mos takohemi.

Përkundrazi është një motivacion edhe më shumë që të fillojmë me punë dhe të lëmë llafet, shpifjet dhe budallallëqet.

Si e vlerësoni punën 1-vjeçare të Kurtit karshi mbështetje të shqiptarëve të Luginës?

Mund ta vlerësojë ndarjen e një shume serioze që ka bërë, edhe pse jo e mjaftueshme për Luginën e Preshevës, është një vendim i duhur që e kam përshëndetur, por punë ende nuk ka pasur. Për mua punë nënkupton, të ulemi dhe të koordinojmë mendimet dhe strategjitë, dhe sinkronizojmë veprimet, të hartojmë planet që shkojnë në të mirë të Luginës së Preshevës.

Poashtu të bëhemi pjesë e dialogut dhe ta ngritim efektin e levës ndaj Qeverisë serbe me serbët në veri të Kosovës, pra kjo është punë për mua.

Kurse vendimin e kemi përshëndetur, por edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj na ka mbështetur me një projekt me mjete financiare, nuk është diçka që del jashtë konturave të Qeverive të Kosovës, vetëm shuma del jashtë se është serioze, por punë ka ende për t’u bërë për Luginën e Preshevës, se nuk është bërë shumë, dhe kemi nevojë për sforcim.

Për fund, cilat janë prioritetet tuaja gjatë këtij mandati? Punët që planifikoni t’i realizoni?

Prioritet i lartë i imi është koordinimi me Shqipërinë dhe Kosovën sepse ne shqiptarët e Luginës së Preshevës jemi të rrezikuar në substancën tonë kombëtare, duke pasur parasysh masën e fundit që Qeveria e Serbisë po e përdorë ndaj nesh që është pasivizimi, me të cilën nuk mund ndryshe ta luftojmë ndryshe veç përmes bashkërendimit dhe sinkronizim me Qeverinë e Kosovës dhe Shqipërinë dhe në kuadër të dialogut të përfitojmë një zgjidhje që për ne është e duhur dhe na mbron në vendin tonë dhe nga pasivizimi.

Poashtu vazhdojmë me punët tona që i kemi filluar qysh nga viti 2016-ta, kur kam qenë mandatin e parë si kryetar komune, ku mundohemi t’i japim perspektivë ekonomike të rinjëve dhe të rejave sepse është një ikje e madhe e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Do të vazhdoj edhe në menaxhimin e komunës në formë transparente dhe antikorruptive, ku politikat tona antikorruptive bile kanë sjellë edhe këtë destabilitet të viteve të fundit në Luginën e Preshevës dhe vazhdojmë me punë tona ku i kemi lënë në vitin 2021. /Reporteri/