Arifi hedh dyshime se në Bujanoc po keqpërdoren 200 mijë eurot e Kosovës
Javë më parë Qeveria e Kosovës ndau 500 mijë euro për tri komunat në Luginën e Preshevës. Saktësisht për Preshevën u ndanë 200 mijë euro, për Bujanocin 200 mijë, ndërsa për Medvegjën 100 mijë euro. Këto pagesa që ishin realizuar më 27 prill nga llogaria e Thesarit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, përmes bankës korrespondente “Deutsche Bank AG”, në llogaritë e këtyre tri komunave në Bankën Qendrore të Serbisë, tashmë janë pranuar nga tri komunat.
Kështu pohoi edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi në një intervistë me KosovaPress, ku tregoi edhe se si do të shfrytëzojë ndihmën e Qeverisë së Kosovës. Ndërsa tha se 200 mijë euro do t’ia bashkangjisë pakos emergjente të komunës së tij, hodhi dyshime se po abuzohet me 200 mijë eurot e dedikuara për Bujanocin.
Arifi tha se Komuna e Preshevës ka ngitur një pako emergjente në vlerë prej 750 mijë euro, ku 500 mijë janë mjetet të komunës, ndërsa, 200 mijë të tjera të Qeverisë së Kosovës me të cilat do të ndihmohen mbi një mijë biznese që operojnë në Preshevë, për bujqit, pensionistët si shtresat në nevojë
Nga kjo pako, ai tha për KosovaPress, se mbi 50% do të përfitojnë bizneset të cilat janë dëmtuar duke qenë të mbyllura për 6 javë. Presheva ka qenë komuna e parë në Serbi që ka mbyllur kafiteritë dhe tashmë ato janë rihapur si pjesë e një plani për rikthimin e normalitetit në këtë komunë shqiptare.
Komuna e Preshevës e ka bërë një hap më tej si një nga të vetmet komuna në të gjithë Republikën e Serbisë, edhe kemi qenë të parët që kemi marrë masa më të rrepta pasi ne kemi qenë komuna e parë në të gjithë Serbinë që i kemi mbyllur kafiqat por jo vetëm kaq, por kemi qenë edhe komuna e parë që me mjetet e saj buxhetore i rialokon mjetet në drejtim të bizneseve. Kemi krijuar një pako emergjente të cilën ua shpërndajmë në javët në vijim kompanive të ndryshme, e shpërndajmë pensionistëve të cilët kanë qenë të mbyllur 24 orë, ua shpërndajmë edhe bujqve, të varfërve të cilët të gjithë kanë qenë të dëmtuar nga kjo situatë. …Në këtë drejtim ne kemi rialokuar 550 mijë euro mjete tona, këtu në këtë pako i fusim edhe ato 200 mijë euro të cilat Qeveria e Kosovës i ka ndarë Komunës së Preshevës edhe ato bëjnë gjithsej 750 mijë euro d.m.th 50% e këtyre 750 mijë euro shkojnë direkt te bizneset e vogla në komunën e Preshevës të cilat kanë qenë të mbyllur që 6 javë të cilët janë të dëmtuar skajshmërisht, të cilëve iu rrezikohet ekzistenca”, deklaroi Arifi për KosovaPress.
Kryetari i Preshevës i cilësoi si të mirëseardhura mjetet e dedikuara nga Qeveria e Kosovës, megjithatë ngriti dyshime se ato nuk po shfrytëzohen për qëllimin për të cilin janë ndarë të paktën në komunën e Bujanocit në të cilën përpos zgjedhjeve nacionale aty do të ketë edhe zgjedhje lokale.
Arifi u shpreh se në këtë komunë 200 mijë eurot e Qeverisë së Kosovës po përdoren për fushatë elektorale, ndërsa u zotua se një gjë e tillë nuk ka shanse të ndodhë në komunën që e drejton ai.
Në komunën e Bujanocit e kemi një situatë pak më ndryshe, aty sivjet ka fushatë. Komuna e Bujanocit me vendim të Këshillit Komunal të tyre ato 200 mijë euro të cilat iu janë ndarë atyre po shihet ashiqare sipas shpërndarjes që do të përdoren për fushatë d.m.th financohen mediat, financohet Këshilli Nacional, financohet edhe hoxhallarë me ato pare d.mth nuk ka kurrfarë kuptimi ajo para e cila ka kaluar na Bujanoc me u shpërnda në atë formë. Ne në Preshevë ato mjete në kombinacion me mjetet tona i shpërndajmë seriozisht atyre të cilëve janë dëmtuar dhe rrezikojnë ekzistencën e tyre”, tha Arifi.
Presheva po e kalon pandeminë me zero të infektuar, pavarësisht se në vetëizolim apo karantinë kanë qenë mbi 1700 persona. I pyetur nëse shqiptarët janë testuar mjaftueshëm nga autoritetet serbe, Arifi tha se të gjithë personat me simptoma janë testuar dhe kanë rezultuar negativë.
Megjithatë, Arifi faktin që në komunën e tij nuk ka pasur të infektuar ua atribuon disiplinës së vet qytetarëve të cilët janë treguar të kujdesshëm duke respektuar edhe rekomandimet e ekspertëve mjekësorë.
“Ne e kemi kaluar këtë gjendjen e jashtëzakonshme me zero të infektuar, kjo është falë disiplinës të cilën e kanë treguar qytetarët në Luginë të Preshevës, konrektisht në Komunën e Preshevës. Ka qenë një disiplinë e jashtëzakonshme për arsye se kemi pasur edhe masa të jashtëzakonshme. Kemi pasur çdo ditë nga ora 18:00 deri në 05:00 orë policore dhe gjithashtu vikendi ka qenë komplet orë policore. Qytetarët mbi 65 ditë nuk kanë pasur mundësi të lëvizin. Kështu që në këtë drejtim ne kemi kaluar mirë falë disiplinës së lartë të qytetarëve dhe kemi kaluar me zero të infektuar”, tha ai.
Tashmë në Serbi nuk ka më gjendje të jashtëzakonshme dhe rrjedhimisht as orë policore, dhe Presheva ashtu sikurse të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe ne Evropë po tentohen t’i rikthehen normalitetit me plane të mirëmenduara duke mos rrezikuar ndonjë valë të dytë të pandemisë COVID-19