Sporti

“Arena Kombëtare”, magjia e impiantit polifunksional në zemër të kryeqytetit

Stadium por jo vetëm. Arena Kombëtare do të jetë investimi më i madh i kryer ndonjëherë për sportin në vend, por edhe një strukturë polifunksionale, ku futbolli është vetëm njëri aspekt. Me punimet që janë në 90% të tyre, impianti modern do të jetë gati për të prerë shiritin në gjysmën e parë shtatorit por nëse do të luhet apo jo gjatë asaj periudhe, gjithçka është në dorën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë së Tiranës.

Detyra kryesore është përfundimi i shesheve përreth stadiumit, pa të cilat UEFA e bën të qartë pamundësinë për të zhvilluar ndeshje. Aktualisht, ka nisur puna për shtrimin e tapetit të gjelbër, ndërsa ka nisur edhe montimi i 22 mijë stolave që përbëjnë kapacitetin total të stadiumit.

Impianti i ndriçimit është gjithashtu në përfundim ndërsa në tribunën qendrore do të vendoset një monitor gjigant në mënyrë që të pranishmit të mos humbasin asgjë nga spektakli në fushë.

Stadiumi është projektuar si një qendër poli-funksionale e cila do t’i sjellë gjallëri dhe zhvillim të gjithë zonës. Sheshet përqark, do t’i japin strukturës një tjetër fytyrë. Qendër tregtare, ambiente për argëtim familjar dhe për fëmijët, lokale, restorante, zyra për federatën e futbollit dhe një muze për historinë e futbollit shqiptar.

Të gjitha këto do të shtrihen përgjatë 6 kateve të stadiumit, që do të kenë hyrje nga çdo cep i tij. Arena Kombëtare do të ruaj identitetin e stadiumit të vjetër ‘Qemal Stafa-s’ në të cilin hodhi rrënjët, me fasadën, monument kulture, e cila do të qëndrojë në hyrjen kryesore.

Kulla, është një tjetër veçori si asnjëherë më parë e një stadiumi shqiptar, e cila do të shërbejë si hotel i një prej brendeve më luksoz në glob. Ndërkohë stadiumi do te jetë gjithashtu ambient ideal për të zhvilluar koncerteve të të gjitha përmasave.

Arena Kombëtare nuk do të shijohet vetëm gjatë 90 minutave të lojës por impianti do të jetë i aksesueshëm në çdo orë të ditës dhe nga të gjitha moshat.