Teknologji

Apple do të bëjë “bom” me veturën e saj të pakonkurrencë

Shefi i Grupit Volkswagen, Herbert Diess, ka thënë se futja e gjigantëve të pasur teknologjikë në industrinë e automobilizmit paraqet një sfidë më të madhe për prodhuesin gjerman sesa ajo prej rivalëve tradicionalë, si Toyota, përcjell albinfo.ch.

“Mezi presim rivalët e rinj, të cilët sigurisht do të përshpejtojnë ndryshimin në industrinë tonë dhe të sjellin aftësi të reja”, ka thënë Diess në një postim në “LinkedIn” kur është pyetur për të komentuar raportimet se Apple po zhvillon një veturë vetëngasëse. “Vlera e pabesueshme dhe qasja e palimituar në burime, meriton respekt”.

Po ashtu, 62-vjeçari Diess mori votën e besimit nga bordi mbikëqyrës i VW-së, për të vazhduar me konglomeratin në rrugën drejt rifreskimit pas përplasjeve të brendshme në kompani.

Duke qenë se VW-ja përballet me vit kritik më 2021-n, në përpjekjet për të elektrifikuar linjat e reja, modeli ID4 dhe me një version më të gjerë të Porsche Taycanit do të jenë në top performansë.

Gjithashtu, Diess shfaqi planin e tij gjatë një takimi të brendshëm javën e shkuar për të kthyer fabrikën e madhe të VW-së në Wolfsburg në rivalen e fabrikës së Teslas që ka nisur të ndërtohet në Berlin.

“E kam thënë në të kaluarën: kompania më e vlefshme në botë do të jetë sërish një kompani mobiliteti”, ka thënë ai. “Mund të jetë Tesla, Apple apo Volkswageni”.

Agjencia prestigjioze e lajmeve, Reuters, ditë më parë raportoi se Apple ka ecur përpara me planet për futjen në tregun e veturave autonome dhe po synon që më 2024 të prodhojë një veturë për pasagjerë që mund të përfshijë teknologjinë e re të baterisë.

Kompania fillimisht kishte menduar për vetura më 2014 kur e dizajnoi veturën e parë. Në një kohë, Apple u tërhoq nga ky fokus, por projektit iu rikthye më 2018 dhe që nga ajo kohë ka avancuar me përpjekjet për hyrjen në tregun e automobilizmit. Qëllimi i kompanisë është të rivalizojë gjigantët tjerë teknologjikë si Waymo që ka ndërtuar robotaksi për të bartur pasagjerët me vetura pa shoferë.

Pika kyçe e strategjisë së Applet është bateria e re që mund të reduktojë në masë “drastike” shpenzimet e baterisë dhe të rrisë ndjeshëm distancën që mund të kalohet me një mbushje të vetme.

Apple ka refuzuar të komentojë për raportimin apo planet e së ardhmes.

Prodhimi i një veture përfaqëson sfidë edhe për vetë Applen, kompani me xhepa të thellë që prodhon qindra miliona njësi elektronike çdo vit me pjesë nga e gjithë bota, por që kurrë s’ka arritur të prodhojë veturë. Teslas së Elon Muskut i ishin dashur 17 vjet para se të dilte në një hapësirë fitimprurëse.

“Nëse ka një kompani në planet që ka burimet për ta bërë këtë, është Apple. Por në të njëjtën kohë, ky s’është telefon mobil”, ka thënë një person që kishte punuar në projektin fillestar të kompanisë.

Mbetet e paqartë se kush do ta prodhojë veturën e brendit Apple, por burimet e Reutersit kanë thënë se kompania do të mbështetet në një prodhues partner për të funksionuar. Dy burime kanë bërë të ditur se planet e Applet mund të shtyjnë prodhimin nga 2025-a e përtej, për shkak të prekjes nga pandemia.

Apple pritet të bashkëpunojë me partnerët për elementet e sistemit e sensorët që ndihmojnë veturën të marrë pamje tredimensionale të rrugës. Ajo mund të ketë sensorë që monitorojnë edhe distancën.

Sa i përket baterisë, Apple do të shfrytëzojë një dizajn unik që grumbullon qelizat individuale në bateri dhe liron hapësirë në pako duke eliminuar qeset dhe modulet që mbajnë materialet e baterisë. Kjo nënkupton se më shumë materiale aktive mund të përfshihen në pako, duke i dhënë veturës potencialisht distancë më të gjatë të kalueshme me një mbushje.

“Është nivel tjetër. Sikurse herën e parë që patë iPhonen”, ka thënë njeriu i Applet, prapa baterisë.