Lajme

Amerika i dhuron Kosovës automjete ushtarake

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i ka pranuar 55 automjete ushtarake të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto pajisje ushtarake, sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, do të ndihmojnë FSK-në që të ngrehë kapacitetet e saj për ruajtjen e garantimin e paqes.

Osmani tha se ndihma e SHBA-së në transformimin e FSK-së është e një rëndësie të veçantë.

“Këto pajisje do t’iu ndihmojnë juve edhe më tej që të zhvilloni kapacitetet tuaja, të parapara në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, mbështetur në misionin dhe mandatin tuaj të ri. Këto do të ndikojnë që aftësitë operacionale të FSK-së të rriten dukshëm si dhe që ushtria jonë të jetë plotësisht ndërvepruese me partnerët tonë, sidomos me SHBA-në, duke ndikuar që së bashku me ta të jetë garantuese e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon, por në gjithë botën”, tha Osmani gjatë ceremonisë së pranimit të këtyre automjeteve.

Osmani tha se shpreson se faza tjetër e tranzicionit të FSK-së të përfshijë edhe pajisjen me helikopterë.

Presidentja Osmani tha se FSK-ja është e përkushtuar që të përfundojë sa më shpejt fazën e trancizionit dhe se në këtë sipas saj, kontribut të madh janë duke dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.