Ambasadorja e re e SHBA: Do ul Ramën dhe Bashën në tavolinë
Diplomatja Yuri Kim e propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump për ambasadore në Shqipëri ka dalë sot në një seancë dëgjimore para Komisionit të Jashtëm të Senatit ku ka kërkuar mbështetje për marrjen e kësaj detyre. Ajo ka prezantuar prioritetet e saj ku veçoi zgjidhjen e krizës politike.
“Do të vazhdoja të promovoja zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Në një afat të menjëhershëm, do të shtyja liderët e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin politik aktual” – tha Kim.
Diplomatja amerikanë ka shprehur mbështetje për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas saj Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të inkurajojnë Shqipërinë të zbatojë plotësisht reformën në drejtësi, të vazhdojë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të krijojë SPAK-un dhe BKH-në.
“Unë gjithashtu do të dyfishoja angazhimin dhe ndihmën teknike amerikane në hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar” – tha diplomatja amerikane e cila nuk i shmangu as kritikat.
“Shqipëria ka një reputacion për të ardhur keq në këtë aspekt për krimin e organizuar, sidomos trafiku i grave dhe narkotikëve. Është një problem shumë serioz” – tha ajo.
Një tjetër pikë e prezantimit të saj ishte ndihma për institucionet shqiptare për më shumë rezistencë ndaj përpjekjeve ruse dhe Kinës që përpiqet të infiltrojë në ekonominë e tonë.