Të fundit

AMBASADORI I DELEGACIONIT TË BE-SË, SEM FABRICI VIZITË KKSH-SË

PËR HERË TË DYTË BRENDA MË PAK SE 2 MUAJVE , AMBASADORI I DELEGACIONIT TË BE-SË, SEM FABRICI VIZITË KËSHILLIT KOMBËTAR SHQIPTAR (KKSH).

Gjatë ditës së sotme, kryetari i KKSH, Ragmi Mustafa priti në selinë e këtij institucioni Ambasadorin e delegacionit të BE-së, Sem Fabrici.
Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin për punën e deritanishme nga udhëheqësia e re e KKSH, fokusin e madh që po i jepet mundësisë së zgjidhjes së problemit tashmë të njohur edhe për ndërkombëtarët, për mungesën e teksteve mësimore në gjuhën shqipe.

Problem për të cilin ditën e djeshme një delegacion i KKSH ishte në takim edhe me Ministren e Arsimit të Republikës së Shqipërisë, Besa Shahini duke kërkuar që përmes një marrëveshje bilaterale të mundshme në mes të dy ministrive, të përfshihet zgjidhja sa më e shpejt e kësaj problematike thuajse 20 vjeçare.

Gjithashtu, sfidat e tjera me të cilat po përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës ishin temë e takimit.

Falënderojmë Ambasadorin Fabrici për prezencën e shtuar në Luginë të Preshevës, duke pasur parasysh që kjo është vizita e tij e dyte brenda një periudhe të shkurtë që po i bënë Këshillit Kombëtar Shqiptar.