Lajme

Albin Kurti: Takim me studentë dhe profesionistë nga Lugina Preshevës

Kryetari Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, pritën sot në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! një grup të rinjsh nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të përbërë nga studentë, profesionistë të rinj dhe disa nxënës.

Në takim, të rinjtë ngritën shqetësimin për probleme nga më të ndryshmet, prej mosnjohjes së diplomave, te mungesa e biokimistëve në ambulanca, nga “pasivizimi” i qëllimshëm i adresave të banimit të shqiptarëve, te rënia e numrit të nxënësve dhe mungesa e literaturës shqipe në shkolla. Ata theksuan gjithashtu mungesën e investimeve kapitale në Luginë, si dhe mosadresimin e këtyre çështjeve nga të dy Republikat shqiptare, që për më tepër ua pamundësojnë edhe sot, në shumicën e rasteve, nxjerrjen e nënshtetësisë dhe të lejeve të qëndrimit. Nga ana tjetër, ata shprehën mirënjohjen për çështjet që Lëvizja VETËVENDOSJE! ka ngritur brenda dhe jashtë institucioneve të Kosovës për të drejtat e shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Albin Kurti u foli pjesëmarrësve në takim për një raport të detajuar që Lëvizja VETËVENDOSJE! ka përgatitur lidhur me situatën e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Duke lexuar pjesë të raportit, ai më tej kërkoi prej tyre të shtojnë kërkesa specifike lidhur me zgjidhjet që propozojnë. Ky raport, si dhe shumë prej propozimeve që Lëvizja VETËVENDOSJE! po merr nga takime si ky dhe me përfaqësues të Kosovës Lindore, do të shërbejnë si udhërrëfyes për masat që do të marrë Lëvizja nesër nga pozicioni i drejtimit të qeverisë së Kosovës.

Takimi u mbyll me zotimin për të punuar edhe më shumë edhe më nga afër, në mënyrë që të realizohen të gjitha të drejtat e mohuara e legjitime të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.