Lajme

Albin Kurti: Jemi në ndihmë të motrave e vëllezërve tanë në Shqipëri

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti e ka cilësuar ditë të rëndë për kombin atë që po kalon sot Shqipëria, pas tërmetit të fortë që goditi vendin dhe ka lënë viktima dhe shumë dëme materiale.

Në një postim në Facebook, Kurti thotë se në këtë ditë “të gjithë jemi pranë familjarëve të viktimave e pranë popullit të Shqipërisë”.

Postimi i plote i Albin Kurtit

Ditë e rëndë për kombin tonë, ditë kur të gjithë jemi pranë familjarëve të viktimave e pranë popullit të Shqipërisë.

Me shpresën që tërmetet të mos vazhdojnë, ne sot u angazhuam si gjithë populli i Kosovës, në ndihmë të motrave e vëllezërve tanë në Shqipëri. Unë i shpreha solidaritetin tonë presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, si dhe kryetarit të PD-së, kurse zyrtarë të Lëvizjes kanë kontaktuar me ministrat, kryetarët e shtabeve të emergjencës, duke ofruar ndihmën tonë.

Qysh prej orëve më të para të mëngjesit secili aktivist i Lëvizjes është vënë në dispozicion për të ndihmuar. Secili aktivist tash është vullnetar. Kemi mbledhur ndihma, shtroja e tesha, tenda e barna, ushqime e gjësende të ndryshme, po ashtu edhe mjekë e infermierë vullnetarë. Kamionat e ambulancat janë nisur për Shqipëri, e të tjera ende vazhdojnë të nisen.

Bashkë, forcojmë njëri-tjetrin.