Të fundit

Aktivisti i VV-së proteston para Kuvendit kundër rrëzimit të Qeverisë

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Valdrin Ahmeti, ka dalë para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, për të protestuar kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti.

Para rreth një ore, Ahmeti, në profilin e tij në facebook shkroi se ndonëse i vetëdijshëm me rrezikun që po i kanoset vendit nga koronavirusi, tha se “nuk ka rrrezik më të madh se rrëzimi i Qeverisë, ngjarje e cila i hap rrugë ndarjes së vendit tonë”.

“Andaj në ora 16:20 do të jem para Kuvendit për të protestuar kundër këtij mocioni të turpit. Nëse dikush mendon të më bashkohet, respektoni të gjitha masat dhe udhëzimet e qeverisë”, shkroi ish-kandidati i VV-së për deputet, Valdrin Ahmeti.

Aktivisti i VV-së më pas postoi një video nga vetura, pas orës 16:00, kur edhe lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve.

“Unë, përveç aktivist i VV, jam edhe qytetar i këtij vendi. Nuk ka organizim të VV! Sepse situata nuk e lejon, por unë që jam në Prishtinë do të dal me shpreh pakënaqësinë me krejt këtë marri që po ndodh në Kuvend”, theksoi Ahmeti.

Në pamjet që janë shfaqur nga protesta e tij, shihet një numër tejet i vogël i qytetarëve që i janë bashkëngjitur thirrjes së tij – rreth 10 gjithsejtë.