Ahmeti pas takimit me Mogherinin: BE-ja nuk pranon shtete etnikisht të pastra, ka disponim për marrëveshje finale me Serbinë
Bashkëkryesuesi i Ekipit negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti pas takimit me përfaqësuesen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka vlerësuar se ky takim ishte shumë frytdhënës.
Ahmeti para gazetarëve në Bruksel, vlerësoi se dialogu pritet të vazhdojë me një dinamikë të shtuar, pasi ka disponim për marrëveshje finale me Serbinë në pjesën e parë të këtij viti.
Duke folur për marrëveshjen historike mes dy vendeve, Ahmeti deklaroi se “BE-ja nuk i mbështetë shtetet etnikisht të pastra”, shkruan Telegrafi.
“Sipas Mogherinit, por dhe atë që kemi dëgjuar edhe nga SHBA, ideja është që të punohet me orar më të ngjeshur në gjysmën e parë të këtij viti për të parë nëse mund të arrijmë marrëveshje. Është e qartë që ka pasur komunikim edhe me Uashingtonin edhe me Moskën që të arrihet një marrëveshje. Sipas Mogherinit çdo marrëveshje është e pranueshme për të dyja palët, por që i përfaqëson vlerat e BE-së. Pra kjo do të thotë se nuk do të kemi shtete etnikisht të pastra”, tha Ahmeti.
I pari i Prishtinës foli edhe për taksën e vendosur ndaj Serbisë, duke shtuar se kjo ishte njëra nga temat kryesore.
Ahmeti bëri të ditur se Mogherinit i kanë treguar që vendimi për taksën nuk do të tërhiqet.
“Është e qartë se taksa nuk hiqet në të thatë. Taksa është i vetmi mjet për të bërë presion mbi Serbinë. Duke potencuar qëndrimin për të gjitha politikat e Serbisë, edhe ne konsiderojmë që tregtia duhet të jetë pjesë e dialogut. Por thamë se mesazhet e Mogherinit për taksën do t’i dërgojmë te qeveria”, deklaroi Shpend Ahmeti.
Ahmeti në fund tha se në takimet e radhës do të ketë diskutime edhe për temat si të pagjeturit, krimet e luftës dhe tema të tjera. /Telegrafi/