Ahmeti: Këtë vit Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshjen për njohjen e ndërsjellët
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se përmbyllja e kontestit midis Shkupit dhe Athinës dhe nënshkrimi i protokollit për anëtarësim në NATO janë arritje të jashtëzakonshme.
Ai ka theksuar se kontributi i BDI’së ka vulosur këto procese historike.
Në një intervistë dhënë për gazetën ‘Epoka e Re’, Ahmeti ka shprehur optimizëm se në këtë mandat do të fillojnë bisedimet për anëtarësim, kurse në vitin 2025 vendi mund të hyjë në BE.
Ai ka vlerësuar se BDI’ja është e përgatitur për zgjedhjet presidenciale të 21 prillit.
Ahmeti ka thënë se Maqedonisë Veriore i duhet një president i pranuar nga të gjithë.
Ai ka pohuar se 2019 është vit i vendimeve të mëdha në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kontekst, Ahmeti ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë.