Abrashi-Pacollit: Je i mirëseardhur, por fillimisht në konvikt
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi, ka reaguar pas kritikave të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Behgjet Pacolli, që qeverinë në detyrë të Kosovës e quajti diktatoriale, pasi iu lejua të vijë në Kosovë vetëm nëse karantinohet fillimisht.
“Çdo qytetar është i barabartë para ligjit. Dmth, të drejtat dhe detyrimet e miliarderit dhe hamallit peshojnë njëjtë. Mbi këtë bazë është ndërtu koncepti i shtetit të së drejtës që aspirojmë ne. Ky kushti kryesor i kontratës shoqërore në mes shtetit dhe qytetarit. Barazia para ligjit”, shkruan Abrashi në Facebook.
“Arroganca feudale e Behgjet Pacollit për t’u trajtuar ndryshe prej neve është neveritëse, e papranushme dhe nuk duhet të tolerohet. Detyrimet nuk pyesin për standarde jetese e as për thellësinë e kuletës. Karantimi 14 ditor për shtetasit e ardhur nga jashtë është i obligueshëm. Dhetra e qindra qytetarë me mundësi të dobëta ekonomike dënohen çdo ditë për mospërfillje të masave. Pse ky të trajtohet ndryshe? Mendësia çifligare dhe standardet e Banana Republikave çfare mund t’i ketë për qejfi, ekselenca mund t’i gjejë tek miqtë e tij tiranik nëpër botë, por jo në Kosovë. Je i mirëseardhur. Por filimisht në konvikt!”, përfundon Abrashi.