Kryesore

Ndryshime të mëdha në rregullat e trafikut në BE: Patentë digjitale dhe drejtim automjeti nga mosha 17-vjeçare

Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të gjerë reformash në fushën e trafikut rrugor, të cilat pritet të ndryshojnë ndjeshëm mënyrën e pajisjes me patentë shoferi, kontrollin e kundërvajtjeve dhe përdorimin e dokumenteve të identifikimit.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është futja e patentës digjitale të shoferit, e cila do të ruhet në telefonat inteligjentë dhe do të jetë e integruar në identitetin digjital evropian. Gjatë kontrolleve policore brenda vendeve të BE-së, shoferëve do t’u mjaftojë të paraqesin patentën në ekranin e telefonit. Megjithatë, patentat fizike do të vazhdojnë të jenë të disponueshme për ata që i preferojnë ose udhëtojnë jashtë BE-së.

Reformat parashikojnë gjithashtu uljen e moshës për drejtimin e automjeteve në 17 vjeç, por vetëm nën mbikëqyrjen e një shoferi me përvojë. Për të rinjtë dhe shoferët e rinj do të zbatohet një periudhë prove prej të paktën dy vitesh, me tolerancë zero ndaj alkoolit dhe masa më të ashpra për shkeljet e trafikut.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është njohja automatike e ndalimit të drejtimit të automjetit në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se shoferët e ndëshkuar për kundërvajtje të rënda, si drejtimi nën ndikimin e alkoolit ose drogës, tejkalimi ekstrem i shpejtësisë apo shkaktimi i aksidenteve me pasoja fatale, nuk do të mund t’i shmangen më dënimit duke kaluar kufirin në një shtet tjetër.

Paketa e re përfshin edhe vlefshmërinë 15-vjeçare të patentës së kategorisë B, lejimin e drejtimit të kamperëve deri në 4.25 tonë me patentë të kategorisë B, uljen e moshës për shoferët profesionistë dhe kontrolle më të detajuara shëndetësore para pajisjes me patentë.

Shtetet anëtare të BE-së kanë afat deri në vitin 2030 për zbatimin e plotë të këtyre rregullave të reja. Reformatorët vlerësojnë se ndryshimet do të sjellin më pak burokraci, më shumë siguri në rrugë dhe një sistem më efikas të kontrollit të trafikut në të gjithë Evropën.