Gjithçka ndalet në kufij nga 26 janari – Presheva mes pikave që pritet të bllokohen
Shoferët e kamionëve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë paralajmëruar bllokimin e plotë të terminaleve të mallrave në 14 pika kufitare drejt Bashkimit Evropian, i cili do të nisë më 26 janar.
Sipas njoftimit të transportuesve, ky veprim është reagim ndaj vështirësive të krijuara nga zbatimi i Sistemit të ri të Hyrje–Daljes (EES), i cili regjistron hyrjen dhe daljen e transportuesve. Sipas tyre, sistemi ka sjellë vonesa të gjata dhe procedura më të ndërlikuara në pikat kufitare.
Transportuesit bëjnë të ditur se vendimi për këtë hap është marrë pasi kërkesat dhe sugjerimet e tyre drejtuar institucioneve të Bashkimit Evropian për lehtësimin e procedurave kufitare dhe uljen e pritjeve nuk janë marrë parasysh.
Bllokimi vetëm në terminalet e mallrave
Presidenti i Shoqatës për Transport Ndërkombëtar të Serbisë, Neđo Mandić, ka sqaruar se protesta nuk do të ndikojë në pikat e kalimit për pasagjerë, por do të zhvillohet vetëm në terminalet e mallrave. Sipas tij, kamionët do të parkohen në mënyrë që të pamundësohet hyrja dhe dalja e mjeteve me ngarkesa.
Në mesin e pikave kufitare që pritet të përfshihen në bllokim është edhe pika kufitare e Preshevës, gjë që mund të shkaktojë pengesa serioze në qarkullimin e mallrave dhe furnizimin në rajon.
Transportuesit paralajmërojnë se, nëse nuk do të ketë reagim institucional dhe zgjidhje konkrete, bllokimi mund të zgjasë dhe të përshkallëzohet edhe më tej./preshevapress
