Të fundit

Sanxhak: Festohet për herë të parë Nëntori i Flamurit me muzikë e valle shqiptare

Në Sanxhak u organizua për herë të parë festa kulturore e Nëntorit të Flamurit me muzikë dhe valle të mirëfillta shqiptare, në kuadër të programit kulturor “Nëntor Lugine”.

Atmosfera ishte e mbushur me gëzim, energji dhe emocione kombëtare, ku shqiptarët e Sanxhakut festuan me motive tradicionale dhe pjesë artistike kushtuar identitetit dhe kulturës shqiptare.

Në këtë aktivitet performuan Shoqëria Kulturore Artistike “Presheva” dhe Shoqëria Kulturore Artistike “Zëri i Luginës”, të cilat sollën melodi dhe valle autoktone që u pritën me entuziazëm nga pjesëmarrësit.

Ngjarja u mbështet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, nën monitorimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd dhe me mbështetjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Sipas organizatorëve, festa synon të forcojë lidhjet kulturore mes shqiptarëve në Sanxhak dhe të promovojë trashëgiminë artistike e kombëtare në këtë rajon.

“Sanxhaku frymoi VeçShqip,” u theksua në njoftim.