Kryesore

Albin Kurti fton shqiptarët e Luginës së Preshevës që të marrin pjesë masovikisht në regjistrimin e popullsisë

Nëpërmjet një videomesazhi, kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga shqiptarët në Serbi, veçmas nga ata në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit, duke kërkuar që: “shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim”

“Shqiptarët që jetojnë në Serbi, në vazhdimësi përballen me diskrimin kombëtar dhe njerëzor e së fundmi edhe me pasivizimin e adresave të tyre. Prandaj regjistrimi që fillon sot e përfundon me 31 tetor për shqiptarët nuk është vetëm çështje statistike. Si kryeministër i Republikës së Kosovës ftoj shqiptarët që jetojnë në Serbi, e në veçanti në komunët Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që t’i përgjigjen regjistruesve duke regjistruar vetën dhe familjarët. Ju ftoj që shtypjes t’i përgjigjeni me regjistrim” – thuhët në mesazhin e kryeministrit Albin Kurti drejtuar qytetarëve shqiptarë në Serbi.

Procesi i Regjistrimi të popullsisë dhe ekonomive familjare në Serbi, ka filluar sot, dhe do të zhvillohet deri më 31 tetor, ku shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë mundësinë të regjistrojnë edhe ata qytetarë që kanë adresa të pasivizuara./luginalajm