Opinione

‘Ne njihemi për besë ndaj të huajit dhe për tradhëti ndaj vetes’

Nga Nezir Kraki

Besa dhe tradhëtia, dy shtyllat tona

Çuditërisht, ne që njihemi për besë njihemi edhe për tradhëti. Ose thënë ndryshe, njihemi për besë ndaj të huajit dhe për tradhëti ndaj vetës.

Historikisht i kemi tradhëtuar synimet tona si popull, jo populli por ata që gjendeshin në krye të tij. Në mesin tonë edhe pushtuesit më t’egër gjenin argatët më të zellshëm derisa përballë i kishin trimat më të mëdhenj nga i njejti popull. Çfarë çudie!
Kur na robëronin, kjo nuk ndodhte sepse armiqtë ishin të fortë por sepse ne ishim të ndarë. Të ndarë në qëllim, të ndarë në mes atyre të besës e t’atdhedashurisë dhe atyre të argatllëkut dhe tradhëtisë.

E kemi gënjyer veten dhe glorifikuar të paqenen. Sot e paqena na rri mbi krye dhe tradhëtia ndaj qytetarit e kombit është kthyer në « mënyrë mendimi » që na ofrohet herë si qasje moderne, herë si imponim i llavave me agratë të dreqit.

Ja shikoni ku jemi sot si popull. Mediat thonë se Rusia e përdorë Lulzim Bashen për ta çorientuar qëllimin evropian të Shqipërisë, derisa Edi Rama e ka institucionalizuar tashmë tradhëtinë si politikëbërje. Prehet n’besë ëndrra e shqiptarëve për shtet normal dhe me dinjitet. Prehet n’besë Kosova, prehen n’besë martirët dhe përgjakja e saj. Prehet n’besë pëpjekja jonë për liri dhe njerëzi.

Athua prapë armiku gjeti argatë në mesin tonë?!

Sigurisht që po. Sepse veç në mesin tonë një luftëtar, me besë e me qëllim, papritmas rreshtohet kundër qëllimit që kishte dhe bëhet argat i qëllimeve të armikut. Veç në mesin tonë, Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë që dikur çlironte shëndrrohet në Shtab të përgjitjshëm që tradhëton idealin e çlirimit. S’ka vend në botë ku studiot televisive vlojnë nga injoranca e argatëve të qëllimshëm apo të pacipë më shumë se ne trevat tona. Vlojnë ata që asnjë fjalë apo veprim nuk e kanë n’lidhje me qëllimin tonë si popull. Veç ne kemi talent që të përpiqemi 100 vjet për liri e shtet dhe në fund ta rikthejmë në pazar shetin e fituar bashkë me lirinë. Dhe, për t’i qëndruar besnik historisë sonë të tradhëtisë, sapo ia falem qiellin Serbisë. Qielli i shqiponjave matanë alpeve ka kohë që i është dhënë Turqisë.
Asgjë absurde!
Veç argatë të pushtuesve.

A ka si ne? JO!
Dhe mos ma përmendni më besën ndaj të huajit kur kemi 2000 vjet që e tradhëtojmë veten tonë.

P.S: e çmoj besën ndaj të huajit si sjellje humane dhe krenohem me faqet e bardha të historisë sonë moderne të shkruara falë pikërisht besës.
Këtu e kam fjalën për besën ndaj veten sonë, ndaj qëllimit dhe ndaj popullit tonë, si populli më i tradhëtuar i këtij kontinenti. / KultPlus.com