Në Shqipëri, 346 persona me gradë doktorë shkencash të papunë
Besimi se sa më shumë shkollë të bësh aq më shumë rriten mundësitë për të gjetur një punë nuk funksionon në Shqipëri.
Sistemi arsimor në vend, vit pas viti ka humbur lidhjet me tregun e punës, për shkak se diplomat e prodhuara nuk përputhen me profesionet që kërkojnë sektorët. Për pasojë, shumë njerëz që kanë përfunduar arsimin e lartë në vend mbeten jashtë tregut të punës dhe dekurajohen tërësisht për të gjetur një punë edhe pa lidhje me profesionin.
Sipas një analize që Monitor u bën të dhënave nga INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2019, 18.1% e personave me arsim të lartë në moshë punë ishin inaktivë.
Të dhënat tregtojnë se së paku që nga viti 2016 e deri në vitin e kaluar, shkalla e “dembelizmit” te personat me arsim të lartë luhatet në intervalin 19-21%.
Zgjerimi i sektorëve të ekonomisë që nuk kërkojnë shumë kualifikim, të tillë si fasoni, call center, turizmi etj., po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë punësimin e të arsimuarve në vendin tonë.
Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar, numri i të papunëve ishte 173.207 persona, nga të cilët 346 ishin doktorantë. Kjo kategori në të cilën përfshihen edhe personat me gradë doktorë shkencash zuri 0.2% të totalit të të papunëve.
Diploma që nuk i kërkon tregu i punës
Të dhënat mbi papunësinë sipas nivelit arsimor janë një pasqyrë e qartë e mospërputhjes së sistemit arsimor në vend me tregun e punës. Diplomat e arsimit të lartë më së shumti janë për ekonomi, shkenca shoqërore dhe juridik, teksa nevojat për punë janë në bujqësi dhe turizëm.
Statistikat arsimore tregojnë tendencën alarmuese drejt profesioneve për të cilat tregu i punës nuk ka nevojë. Mbi 50% e studentëve vitin e kaluar zgjodhën të studiojnë për shkencat humanitare dhe artet, teksa numri i studentëve në degët që lidhen me bujqësinë dhe turizmin ra përkatësisht me 24 dhe 57% në krahasim me pesë vite më parë.
Më 2018, krahasuar me vitin e mëparshëm, pesha që zënë të papunët afatgjatë në papunësinë gjithsej është rritur me 2,6 pikë përqindje.
Gjatë vitit 2018, krahasuar me vitin e mëparshëm, pati një rënie të shkallës së papunësisë për personat me arsim 8-9-vjeçar me 2,4 pikë përqindje dhe për personat me arsim të mesëm me 1,2 pikë përqindje.
Vajzat zgjedhin “në degë të lehta”
Të dhënat për vitin e fundit akademik treguan se në pjesën më të madhe të rasteve vajzat janë diplomuar për shkencat shoqërore dhe edukim, ndërsa kanë qenë në minorancë për sa i përket degëve që kanë lidhje me bujqësinë dhe peshkimin, inxhinierinë, prodhimin dhe ndërtimin. Në këto degë mbizotërojnë të diplomuarit djem.
Megjithatë për të dyja gjinitë, peshën kryesore në diplomat e marra sipas fushave të studimit në arsimin e lartë, e zë ajo e shkencave të biznesit, administrimit dhe ligjit për të dyja gjinitë.
Fushat e studimit ku vajzat diplomohen më shumë janë biznes, administrim dhe ligj (27,4 %), shëndet dhe mirëqenie (17,5 %), arte dhe humanitare (12,0 %). Ndërsa fushat e studimit, ku diplomohen më së shumti djemtë, janë biznes administrim dhe ligj (30,1 %), inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (16,1 %)dhe teknologjitë e informacionit (10,4 %).
Sipas një publikimi të INSTAT mbi barazinë gjinore në Shqipëri, fusha e studimit, më e dominuar nga vajzat e diplomuara është ajo e shëndetit dhe mirëqenies në të cilën 78,9 % e studentëve të diplomuar janë vajza, ndjekur nga ajo e arsimit me 77,7 % të studentëve të diplomuar vajza, dhe arte dhe shkenca humane (74,2 %). Ndërsa djemtë dominojnë më shumë në fushën e shërbimeve (71,1 % e të diplomuarve janë djem), ndjekur nga inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (61,7 %), si dhe teknologjia e informacionit me 56,3 %.
Gjatë vitit akademik 2017/18 në arsimin e detyruar u diplomuan 37 mijë nxënës nga të cilët 51,1 % ishin djem dhe 48,9 % vajza. Në këtë vit akademik, ka një ulje të vogël të numrit të nxënësve që marrin diplomë të arsimit të mesëm, krahasuar me vitin paraardhës.
Nxënësit e diplomuar në arsimin e mesëm sipas gjinisë ishin 48,6 % djem dhe 51,4 % vajza. Numri i të diplomuarve në arsimin e lartë në vitin akademik 2017/18 ishte 34 mijë studentë ndër të cilët vajzat përbënin 63,3 %. Numri i të diplomuarve vajza në krahasim me një vit më parë ka rënë me 4,1 %.
Niveli i pjesëmarrjes bruto në arsimin e detyrueshëm është 102,1 % për djemtë dhe 99,2 % për vajzat. Edhe pjesëmarrja në nivelin e mesëm të studimeve është më e lartë për djemtë se për vajzat, përkatësisht 97,4 % dhe 90,1 %, ndërsa në nivelin universitar raporti përmbyset, ku pjesëmarrja është më e lartë për vajzat, me 66,4 % sesa për djemtë, me 43,8 %.
Pjesëmarrja sipas gjinisë në ciklet arsimore tregon për ekzistencën e diferencave gjinore në nivelet e ndryshme të arsimit. Ka një raport më të lartë të djemve, krahasuar me vajzat në arsimin parauniversitar, ndërkohë që në arsimin e lartë 59,7 % e studentëve të këtij cikli janë vajza./monitor