E bukur dhe mistike: Shpella e Gadimes, lloji më i veçantë në Evropë
Shpella e Mermertë e Gadimes është ndër pasuritë më të mëdha të Kosovës, me një pamje magjepëse dhe të rrallë, jo veç në Kosovë por edhe më gjerë, pasi që është e vetmja e këtij lloji në Evropë.
Kjo shpellë është zbuluar aksidentalisht nga një fshatar me emrin Ahmet Asllani, i cili po punonte në oborrin e shtëpisë, dhe gjatë thyerjes së gurëve për ndërtimin e shtëspisë kishte hasur në një gropë të vogël në të cilën ka vërejtur disa pjesë të mermerta
Shpella e Mermertë, apo siç njihet ndryshe edhe “Shpella e Gadimës”, për shkak të vendit ku ndodhet, në fshatin Gadimes të Komunës së Lipjanit, është e gjatë 1500 metra, mirëpo për vizitorët është e lejuar 1300 metra. Brenda shpellës gjenet Kati i Mesëm që është për vizitorë, Kati Nënujor dhe Kati i Sipërm. Gjatë verës temperatura në shpellë janë konstante, 13 gradë celsius dhe gjatë dimrit 11-13 gradë. Brenda saj gjendet edhe liqeni i gjatë 15- 25 metra, duke e bërë edhe më atraktiv këtë pikë shumë të bukur turistike të Kosovës.
Kristalet e rralla të cilat gjenden në këtë shpellë nuk hasen në shumë shpella të mermerta nëpër botë. Këto kristale janë dëshmi se se kjo shpellë mund të jetë shumë e vjetër, edhe pse nuk dihet saktë se kur është zbuluar. Kështu, kjo shpellë bëhet pika më e dëshiruar nga të huajt për turizëm, por edhe nga vendorët.
Gjithashtu ,në shpellë gjenden shumë simbole të formura nga këta kristale si: Simboli i peshkut, mjekrra e Skendërbeut, gjarpri, Romeu dhe Zhuljeta e shumë të tjera, duke u pasur me histori shumë të veçantë nga ciceroni i shpellës, Fahri Tasholli.
Në aspekt hidrologjik shpella e Gadimes është e pasur me ujëra nëntokësore. Në të njejtin horizont paraqiten të gjitha llojet e ujërave të shpellave: ujërat e kondensuar, pikues, rrjedhës dhe qëndrues duke e shndërruar shpellën e Gadimes në objekt të veçante në aspekt hidrologjik.