Bota

800 viktima në Izrael dhe 560 në Gaza

Bilanc tragjik vijon të rëndohet pas dyluftimeve mes militantëve të Hamasit dhe IDF-së (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit).

Të paktën 800 persona kanë mbetur të vrarë në Izrael, me 2 mijë e 243 të plagosur, thotë Ministria e Shëndetësisë.

Luftimet midis forcave izraelite dhe terroristëve të Hamasit po vazhdojnë në shtatë deri në tetë lokacione rreth Rripit të Gazës brenda Izraelit, thotë tani IDF-ja.

“Ne jemi ende duke luftuar. Ka nga shtatë deri në tetë vende të hapura rreth Gazës (ku) ne kemi ende luftëtarë që luftojnë terroristët”, u tha gazetarëve zëdhënësi ushtarak Richard Hecht.

“Ne menduam se deri dje do të kishim kontroll të plotë”, thotë ai. “Shpresoj se do ta bëjmë deri në fund të ditës”.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Rripin e Gazës thotë se 560 palestinezë janë vrarë dhe 2 mijë e 900 janë plagosur.

Në West Bank sakaq janë të paktën 16 të vrarë dhe 80 të lënduar pas shkëmbimeve mes palëve.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thonë se kanë vrarë qindra terroristë të tjerë palestinezë në territorin izraelit.

Deri në fund të ditës së djeshme, sulmet ajrore izraelite kishin shkatërruar 159 njësi banimi në të gjithë Gazën dhe kishin dëmtuar rëndë 1 mijë e 210 të tjera, thotë OKB-ja.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA-ja, thotë se një shkollë që strehonte më shumë se 225 njerëz u godit drejtpërdrejt. Nuk thuhet se nga ka ardhur zjarri.

Në qytetin palestinez Rafah në Gazën jugore, një sulm ajror izraelit në mëngjesin e sotëm vrau 19 persona, duke përfshirë gra dhe fëmijë, thotë Talat Barhoum, një mjek në spitalin lokal Al-Najjar.