Shqipëri

6 të vdekur dhe 275 infektime të reja me COVID-19 në Shqipëri

Në 24 orët e fundit në Shqipëri kanë vdekur gjashtë persona dhe janë regjistruar 275 raste të reja me infeksion nga 1422 testime. Ndërkohë që janë shëruar 114 qytetarë, duke e çuar në 11,007 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.

Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit humbën jetën 6 qytetarë me Sars Cov2 në 2 spitalet Covid: 61 vjeç nga Korça, 67 vjeç nga Pogradeci, 69 vjeç nga Lezha, 71 vjeç Vlorë, 73 vjeç nga Fieri dhe 74 vjeç nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese.

Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 163 raste në Tiranë, 30 në Korçë, 15 në Shkodër, 12 në Durrës, 11 në Pogradec, 9 në Librazhd, 7 në Lezhë, nga 3 raste në Fier, Lushnje, Mat, nga 2 raste në Devoll, Elbasan, Vlorë, Mirditë, Berat, nga 1 rast në Has, Kavajë, Pukë, Mallakastër, Kamëz, Gjirokastër, Përmet, Prrenjas, Kuçovë.

Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 291 pacientë, 2 më shumë se dje, 13 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët për të mbajtur detyrimisht maskën edhe në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit.