ARKIVA

Historia e shkurtër politike e Kosovës, e viteve 1999-2020

21 vjet…..

Ishte një ditë e bukur në prag të verës, herët në mëngjes, më datën 12 qershor, dhe rrugët që çonin nga kryeqyteti i Maqedonisë, Shkup, drejt kufirit me Kosovën ishin mbushur plot me njerëz. Trupat e NATO-s, që ishin gati të hynin në Kosovë për të nisur misionin e ruajtjes së paqes, pasi e kishin fituar luftën, përjetuan duartrokitje të shqiptarëve para se të hynin në Kosovë, edhe të shqiptarëve të Maqedonisë e edhe të mijëra kosovarëve, të cilët në këtë shtet fqinj ishin strehuar si refugjatë.

Me lot në sy, me emocione të mëdha, me eufori, e shpesh edhe me këngë e valle, ata përcillnin avancimin e ngadalshëm të trupave të NATO-s teksa hynin në Kosovë. E shihnin këtë si realizim të një ëndrre, se vërtet një ditë do të kthehen në vendin e tyre pa pasur frikë se dikush do t’i përzë prapë nga atje. Kjo ishte bërë e mundshme pas 78 ditësh fushate ajrore kundër forcave të Slobodan Milosheviqit dhe një marrëveshjeje teknike ushtarake të nënshkruar mes NATO-s dhe Ushtrisë së Serbisë në Maqedoni. Në fakt, kjo marrëveshje ishte një lloj kapitullimi i Serbisë dhe i vendoste kushtet dhe parametrat e largimit gradual të trupave serbe nga Kosova. Njëzet vjet më vonë Jamie Shea, atëherë zëdhënës i NATO-s, do të thoshte se “ishte ruajtja e vendosmërisë së NATO-s dhe unitetit që detyruan Milosheviqin të pranonte këtë marrëveshje”.

Në të njëjtën kohë kur njësitë speciale britanike Gurkha, të përbëra nga ushtarë të nderit nga Nepali, hynin në Kosovë nga Maqedonia, trupat gjermane ishin nisur nga Shqipëria.

Në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë, në Han të Elezit, nuk kishte ndonjë pranim-dorëzim të vendkalimit. Ushtria serbe ishte larguar nga aty pa e pritur NATO-n. Ushtarët e UÇK-së kishin zbritur dhe kishin pastruar tashmë terrenin aty. Por rrugës duhej vazhduar ngadalë, me kujdes nga minat, por edhe nga njerëzit që i afroheshin rrugës për të përshëndetur ushtarët e NATO-s si çlirimtarë.

Hyrja në Prishtinë ishte jo ashtu siç ishte planifikuar. Ushtarët e NATO-s iu afruan kryeqytetit në orët e vona të pasdites së 12 qershorit. Por në qytet hynë të nesërmen në mëngjes herët. Kur u dëgjuan tanket britanike nisën të dilnin njerëzit në rrugë dhe vetëm më 13 qershor në mëngjes prishtinasit patën një ndjenjë të sigurisë se janë çliruar vërtet.

Më datën 11 qershor kishte ndodhur ankthi më i madh i atyre pak njerëzve që kishin mbetur gjatë fushatës së bombardimeve në qytete. Atë ditë përderisa ata prisnin hyrjen e NATO-s, befas erdhën disa ushtarë të tjerë të paftuar. Ushtarët rusë, që kishin lëshuar bazat e tyre në misionin paqeruajtës në Bosnjë-Hercegovinë, kishin hyrë në Prishtinë më 11 qershor. Sa ishte ankth për shqiptarët, aq krijoi eufori tek serbët në Prishtinë. Ata dolën në shesh për të mirëpritur rusët. Valëzonin mbi tanket e tyre. Por edhe euforia e tyre nuk zgjati shumë. Me detyra të caktuara ushtarët rusë u nisën drejt Aeroportit të Prishtinës. Më 13 qershor gjithçka ndryshoi. Tash ishin shqiptarët ata që festonin, ndërsa serbët bëheshin gati të largoheshin, bashkë me ushtarët dhe policët e Serbisë. Ato dy ditë, 11 dhe 12 qershor, ishin ditët kur vërtet Prishtina dukej si “tokë e askujt”, edhe pse anarkia vazhdoi edhe për disa ditë.

Hoteli Grand u bë një bazë joformale. Aty vinin “oficerët për lidhje” të NATO-s dhe Serbisë. Aty ishin gazetarët që kishin akreditimet e regjimit të Milosheviqit dhe ata që kishin hyrë bashkë me NATO-n. Aty vinin edhe aktivistët e UNHCR-it dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që do të ndihmonin kthimin masiv të refugjatëve. Të parët njerëz të UÇK-së që u panë aty ishin disa pjesëtarë të Batalionit të Atlantikut, shqiptaro-amerikanë, që erdhën në hotel me disa gajbe birrash dhe nisën të festonin. Ardhja e tyre shënoi fillimin e largimit edhe të stafit serb nga hoteli dhe me këtë edhe ndryshimin e atmosferës. Ushtarët dhe specialistët e NATO-s ishin të hutuar. Shumë shpejt në hotel erdhi edhe komandanti i parë i KFOR-it, gjenerali britanik Michael Jackson. Thirri një konferencë për shtyp për “mediat lokale” për të çuar porosinë se NATO-ja do të mbrojë të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Por kolegia Garantina Kraja dhe unë vendosëm të mos merrnim pjesë në atë konferencë. Nuk donim ta refuzonim komandantin e NATO-s, por vërejtja ishte se aty nuk kishte “gazetarë lokalë”, ishin gazetarë nga Serbia, ndërsa kolegët shqiptarë nga Kosova ishin ose refugjatë, ose diku nëpër terren. Dhe gjenerali pranoi që të flasë veçmas për “Kohën Ditore” pastaj.

Si u bë Rusia pjesë e misionit të NATO-s

Gjenerali Michael Jackson ishte një ushtarak me karakter dhe karrierë impresive. Thuhet se punët gjatë hyrjes së NATO-s në Kosovë kanë mundur të shkojnë aq keq saqë të nisë edhe Lufta e Tretë Botërore. Komandanti i forcave të NATO-s për Evropën, Wesley Clark, kishte urdhëruar që të merrej kontrolli i Aeroportit të Prishtinës, që do të duhej të ishte bazë e NATO-s. Kjo nënkuptonte konfrontimin me ushtarët rusë që ishin vendosur aty. Thënia “evitimi i Luftës së Tretë Botërore” u shndërrua më vonë në mit, për të cilin kanë pretenduar se e kanë thënë edhe kryeministri britank Tony Blair, i cili vërtet e kishte mbështetur refuzimin e Michael Jacksonit që të zbatojë urdhrat e Clarkut. E ka thënë edhe këngëtari i njohur James Blunt, i cili asokohe ka komanduar me një njësi britanike në Kosovë. Por vetë Clark thotë se kjo ka qenë thënie e gjeneralit Jackson, i cili i është përgjigjur Clarkut se “nuk dua për shkakun tënd ta nis Luftën e Tretë Botërore”. Clark më vonë ka pranuar se ky ka qenë një vlerësim i duhur i Jacksonit dhe se gjenerali britanik ka pasur mbështetjen e parezervë te kryeministrit Tony Blair përderisa ai nuk e ka pasur mbështetjen e plotë të presidentit Clinton./Koha