Maqedoni

2921 raste aktive me Covid-19 në Maqedoninë e Veriut

Numri i personave të saposëmurë me Kovid-19 edhe më tutje mbetet treshifror. Gjatë ditës së djeshme ishin regjistruar 137 raste të reja, ndërsa Shkupi dhe Kumanova janë në majë të listës me më së shumti të infektuar. Për momentin, nga fillimi i epidemisë ka gjithsej 2921 raste aktive.

Numri i tërësishëm i të diagnostifikuarve me Kovid në vend nga fillimi i epidemisë arrin 13.595. Shifra e pacientëve të shëruar është 10220, ndërsa numri i të vdekurve është 564.

Deri tani në vend janë kryer gjithsej 137.465 testime të Kovid-19.

Në Klinikën Infektive në 24 orët e fundit janë pranuar katër pacientë. Gjithsej janë hospitalizuar 70 pacientë prej të cilëve në mbështetje të oksigjenit janë 31 pacientë, nuk ka asnjë në ventilim mekanik.

Në spitalin në Kozle janë hospitalizuar 14 pacientë të rritur pozitiv në Kovid-19, dy fëmijë janë pozitiv, një nën dhe tre fëmijë dyshohen për virusin.

Sipas raportit të Ministrisë në SPQ “8 Shtatori” janë pranuar tre pacientë, Gjithsej janë hospitalizuar 68 pacientë nga të cilët në makinë respiratore janë pesë pacientë.

Në spitalin e Manastirit janë hospitalizuar 13, ndërsa në spitalin e Shtipit janë hospitalizuar 37 pacientë. Në repartin Infektiv të Tetovës, Ohrit, Velesit, Kumanovës, Prilepit, Gostiarit, Strumicës dhe Strugës janë hospitalizuar 114, persona pozitiv dhe të dyshuar për Kovid-19.

Sa i përket kryeqytetit, i cili mbetet në majë të listës me më së shumti të infektuar, në Çair ka më së shumti raste aktive, dhe atë madje 114. Pas tij vijon Gazi Baba me gjithsej 107 raste aktive, në Aerodrom ka 103 raste aktive, në Karposh – 91, Qendër 84, Kisella Vodë 89, Gjorçe Petrov 68, Butel 60, Shuto Orizare 40, Studeniçan 20, Saraj 21, Haraçinë 17.