E majta ekstreme ‘Barrikade’ sulmojnë një therrtore hallall në Bazel të Zvicrës
Platforma e të majtës ekstreme “Barrikade” ka ushtruar një sulm me zjarrvënie ndaj mishtores Sila AG në Buckten. Policia ka gjetur elemente zjarrvënieje gjatë një kontrolli.
Të dielën, pak para orës 14, Policia e Kantonit Bazel-Landschaft kishte marrë informacione se në thertoren Halal dhe ndërmarrjen e tregtisë së mishit në Buckten kishte ndodhur një sulm me zjarrvënie, shkruan telebasel.ch. Inspektimi i parë në vend nuk solli rezultat, ndërsa pas një inspektimi tjetër brenda ndërtesës, policia më në fund gjeti mjete të përdorura për zjarrvënie (një shishe plastike me një fitil ndezës brenda), thuhet në një njoftim të publikuar të hënën.
Dëmtime nuk pati, pasi që pajisjet e flakës nuk ishin ndezur, transmeton albinfo.ch. Ndërkohë janë duke vazhduar hetimet e mëtejshme nga policia dhe prokurori publik i kantonit Bazel-Landschaft.
Nga ana tjetër, po të dielën, platforma ekstreme e krahut të majtë “Barrikade” publikoi një komunikatë, përmes të cilës njoftonte se në Sila AG në Buckten ishte vënë zjarr. Madje u publikua edhe një Twitter, me një foto të një zjarri të supozuar. Por kjo duket të ketë qenë lajm i rremë (fake news).
Ekstremistët kishin shkruar në platformë se pronari i thertores, Murat Sahin, është një mbështetës i Erdoganit, përcjell albinfo.ch. Prandaj synimi ishte që të shkaktohej “dëmi më i madh i mundshëm ekonomik për pronarin e fabrikës së mishit”, thuhet më tutje në njoftimin e përmendur.
Persona anonimë, të cilët me siguri vijnë nga skena e majtë ekstreme, akuzojnë pronarin e supozuar të thertores si përgjegjës për rekrutimin e njerëzve për partinë e AKP-së së Erdoganit në Zvicër përmes UETD, Unionit të Demokratëve Evropianë-Turq.
Sahin ishte “një mbështetje e rëndësishme politike për bllokun fashist të AKP-MHP në Turqi”, thonë nga qarqet e platformës së përmendur.
Nga ana tjetër, Murat Sahin, i përmendur në tekst, nuk ka punuar në Sila AG që nga prilli i vitit 2018, transmeton albinfo.ch. Kështu thotë për telebasel, pronari aktual i ndërmarrjes Adrian Lüscher. Jo vetëm kaq. Sipas tij, Sahin kurrë nuk kishte qenë pronar i thertores. Ai vetëm ishte i punësuar aty dhe ishte përgjegjës për shitjen.
Dy vjet më parë, Lüscher e kishte pushuar nga puna z.Sahin, ndërsa rreth një vit e gjysmë më vonë, asnjë nga anëtarët e familjes Sahin nuk janë më të punësuar aty. “Me zotin Sahin, më pengonte fakti që ai ishte politikisht aktiv”.