Lajme

207 mijë euro dëmshpërblim viktimave në rastin e Salih Mustafës

207 mijë euro është shuma e caktuar për dëmshpërblim të viktimave në çështjen gjyqësore kundër Salih Mustafa, ka vendosur Gjykata Speciale të enjten.

Sipas njoftimit të trupit gjykues, 207 mijë eurot do të ndahen për tetë viktima.

30 mijë euro do t’i marrë viktima numër “8”, 80 mijë euro viktima numër “9”, 60 mijë euro viktima “10”, nga 10 mijë euro viktimat “5”, “6” dhe “12”, 5 mijë euro viktima “11” dhe dy mijë euro viktima me numrin “13”.

Trupi gjykues ka theksuar se përgjegjësinë për pagesën e kompensimit për viktimat e mban Mustafa.

Gjykata ka lëshuar vendim që të dorëzohen të dhënat lidhur me Mustafën për të parë nëse pasuria e tij mund të përdoret për zbatimin e urdhrit për zhdëmtim. Por nëse Mustafa nuk ka mjetet për ta bërë këtë pagesë, atëherë kompensimi mund të bëhet nga shteti i Kosovës.

“Sidoqoftë, fakti se Mustafës i mungojnë pjesërisht mjetet financiare nuk e liron atë nga detyrimi nga viktimat dhe ai mbetet përgjegjës për shumën e plotë të dëmshpërblimit të caktuar. Duke marrë parasysh gjendjen financiare të Mustafës, trupi gjykues theksoi nevojën për përfshirjen e aktorëve të tjerë për zbatimin e urdhrit. Një nga aktorët e parë mund të jetë Kosova. Ministria e Drejtësisë informoi trupin gjykues se viktimave mund t’u akordohet kompensim nga programi për kompensimin e viktimave të krimit që u themelua në bazë të Ligjit për kompensimin e viktimave të krimit”, ka thënë trupi gjykues.