ARKIVA

20 vjetori i masakrës në Gjakovë, historia e 10 vjeçarit, i mbijetuari i vetëm që pa vdekjen e 21 familjarëve

Sot janë bërë 20 vjet nga masakra në lagjen Qamili në Gjakovë ku janë vrarë 21 persona, gra dhe fëmijë. Mirëpo i mbijetuari i vetëm i kësaj masakre kishte qenë Dren Caka i cili kishte pasur vetëm 10 vjet në atë kohë.

Dren Caka është i vetmi i mbijetuar i masakrës së forcave serbe të kryera gjatë natës së 1 dhe 2 prillit të vitit 1999 në shtëpinë e tij në Gjakovë. Nëntëmbëdhjetë gra dhe fëmijë u vranë në atë masakër. Dreni ishte dhjetë vjeç në atë kohë. Motrat e tij ishin 2, 6 dhe 14 vjeç, të tria mbetën të vrara.

Ndërsa, Dren Caka kishte mbijetuar duke u fshehur mbrapa trupit të vdekur të një prej grave, shkruan Gazeta Insajderi.

Caka për këtë masakër kishte dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës. Ai kishte treguar se ishte fshehur në një bodrum me nënë dhe tri motrat e tij. Ata ishin bashkuar me familje të tjera, kryesisht gra dhe fëmijë, kurse burrat kishin qenë në kulmet e shtëpisë duke bërë roje.

Ata besonin se serbët, të cilët kishin nisur në një pjesë të Gjakovës, “po kërkonin vetëm burra dhe nuk do të sulmonin gratë dhe fëmijët”.

Rreth orës 2 të mëngjesit, nëna e Drenit kishte dëgjuar se disa policë ishin duke ardhur në shtëpinë e tyre ku dhe kishin thyer derën e bodrumit dhe kishin kërkuar gra dhe fëmijë në gjuhën serbe dhe shqiptare. Ata kishin nxjerrë nga bodrumi gratë dhe fëmijët që kishin qenë aty, disa kishin arritur të shpëtonin mirëpo Dreni me motrat dhe nënë e tij nuk kishin arritur të iknin nga bodrumi dhe kishin mbetur nën ruajtjen e tre policëve serbë.

Pesëmbëdhjetë vjeçarja, Flaka ishte viktima e parë e kësaj masakre, ajo ishte vrarë nga agresori serb me një plumb të një pushke automatike. Ajo ishte vajza e Hani Hoxhës. Babai i saj kishte dëshmuar lidhur me këtë masakër.

Flaka ishte vrarë derisa ishte duke përgatitur çaj. Pas ishte ekzekutuar edhe nëna e saj dhe të gjithë njerëzit që kishin qenë në dhomë me Flakën dhe nënën e saj.

Ndërkohë, policët kishin djegur shtëpinë ku kishin qenë gratë dhe fëmijët. Shtëpia filloi të mbushej me tym. Dren Caka kishte dëgjuar britmën e motrës së tij dyvjeçare, të bllokuar nën trupin e nënës së saj të vdekur, por nuk kishte mund që ta ndihmonte. Po ashtu edhe Dreni ishte qëlluar, ai kishte krahun e thyer. Dreni kishte lëvizur nga dhoma në dhomë, duke pretenduar se ai ishte i vdekur në çdo hapë që e bënte. Në fund ai ishte hedhur nga dritarja e shtëpisë së fqinjit ku kishin qenë duke qëndruar dhe ishte nisur në drejtim të shtëpisë së tij. Derisa po ikte nga shtëpia në zjarr, Dren Cakën e kishin parë tre policë. Ata ishin duke qëndruar para shtëpisë, duke pirë duhan me një shprehje të ftohtë në fytyrë.

Kur arriti në shtëpinë e tij, Dren Caka kishte parë tezen e tij dhe i kishte kërkuar ndihmë, duke bërtitur se “të gjithë ishin të vdekur”. Ai i kishte thënë se e ka parë një ëndërr të keqe, mirëpo tezja i kishte besuar Drenit vetëm kur e kishte pa të plagosur.

Pas kësaj masakre, Dreni kishte shkuar në Shqipëri si refugjat së bashku me të afërmit tjerë të cilët i kishin mbijetuar masakrës së 1 dhe 2 prillit. Mirëpo babai i Drenit nuk kishte shkuar së bashku me të, ai kishte mbetur në Gjakovë, ndërsa ai kishte qëndruar për pesë muaj në Shqipëri.

Meqenëse dëshmitari kishte dëshmuar në një anglishte të rrjedhshëm, ndonëse u rrit shumë larg nga Kosova, Dreni kishte dëshmuar dy herë në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviqit, Dreni kishte dëshmuar si dëshmitar i mbrojtur.

Dreni tash është duke jetuar në Vankuver të Kanadasë së bashku me babain e tij Ali Cakën, ku dhe është i punësuar. Babai i tij është martuar sërish dhe ka një djalë, të quajtur Dennis, dhe Dreni ka bërë tatuazh në krahun e tij emrin e Denisit.