Shqipëri

2 mesazhet që Basha i dërgoi Ramës nga protesta e opozitës

Në fjalimin e tij para protestuesve tek kryeministria, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se përpjekja 6 vjeçare e forcës që ai drejton triumfoi. Basha tha se kriza nuk do të ketë zgjidhje duke bërë pazare.

“Kriza duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet me parime, dhe jo me pazare. Kjo krizë do të zgjidhet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ata që e kanë sjellë vendin në këtë vend, ata që sollën krimin në politikë, ata që u korruptuan, nuk do të dalin nga kriza si shpëtimtarë, por si përgjegjës. Vetëm kjo e shpëton të ardhmen evropiane të Shqipërisë: Nxjerrja e politikanëve të lidhur me krimin para drejtësisë së pavarur. Vetëm drejtësia përmes ligjit” – tha Basha.

Basha bëri edhe një tjetër premtim.

“Dua ta deklaroj para gjithë botës: Derisa të dalin para drejtësisë, ata që vodhën votat e shqiptarëve, bashkë me krimin, nuk do të ketë zgjidhje politike. Ne do të bëjmë çdo përpjekje Do të përdorim çdo mjet për t’i nxjerrë ata para drejtësisë. Bashkë me ta, do të largojmë Edi Ramën nga pushteti. Njeriun që e solli krimin në politikë, njeriu që ia la shtetin në dorë krimit” – tha Basha.