KryesoreLajmeMaqedoni

Zaev iu bën thirrje partive të përgatiten për zgjedhjet e 12 prillit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, shpreson që të mos ketë nevojë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, prandaj iu bën thirrje partive që të përgatiten për 12 prillin dhe sa më shpejtë të prezantojnë para qytetarëve ofertën e tyre. Megjithatë, ai len përsëri të hapur mundësinë për shtyrje në rast se janë në pyetje interesa më madhore shtetërore si miratimi në Kuvend i marrëveshjes për anëtarësim të plotë në NATO.

“Në përgjithësi, nuk pres që të ketë nevojë për ndryshimin e datës së zgjedhjeve por njëkohësisht dërgoj mesazhin të cilin duhet ta dimë të gjithë ne dhe kjo është përgjegjësia para shtetit. Nuk dua të dërgoj mesazh te partitë politike ose listat potenciale të kandidatëve që të mos përgatiten. Të përgatiten! 12 prilli është datë e caktuar për zgjedhje dhe ne duhet të përgatitemi dhe t’i prezantojmë ofertat tona programore dhe të kandidatëve sa më herët që është e mundur”, deklaroi Zaev.

Opozita tashmë disa ditë e kundërshton këtë ide të pushtetit duke mos pranuar të heqin dorë nga 12 prilli.

“Në takimin e liderëve në të cilin morën pjesë të gjitha partitë politike u vërtetua se zgjedhjet duhet të mbahen më 12 prill dhe qeveri teknike të formohet më 3 janar 2020. Ne, si parti politike, nuk shohim arsye të veçantë për shtyrjen e zgjedhjeve, që e lajmëron kryeministri Zaev”, tha Cvetan Tripunovski, nga VMRO-DPMNE.

Spanja pritet të jetë vendi i fundit që do të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO por procedura mund të komplikohet për shkak të zgjedhjeve parlamentare të cilat në Spanjë do të mbahen më 10 nëntor. Më 3 dhjetor është caktuar seanca për konstituimin e Kuvendit spanjoll, por është e paqartë se kur do të vendoset në rend dite protokolli i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut. Pas ratifikimit të protokollit edhe nga vendi i fundit anëtar i NATO-s, Kuvendi në Shkup duhet të miratojë marrëveshjen përfundimtare të anëtarësimit në Aleancë./AlsatM/